Bardhi deputetëve të PD: Nuk thatë asnjë fjalë për Aqif Rakipin se keni hallin e Berishës

Ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se deputetët e Partisë Demorkatike nuk thanë asnjë fjëlë për shpalljen “non grata” të Aqif Rakipit.

Kjo sipas Bardhit, pasi ata kanë pasur hallin e Sali Berishës, pasi edhe ky i fundit ka përfunduar “non grata” në SHBA.

Bardhi shtoi se deputetët e PD-së po e përçajnë partinë për interesat personale të ish-kryeministrit.

Komentet Bardhi i bëri gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat.

“Së pari, Sot iu kthyen traditës së vjetër e të shëmtuar të shpifjeve, baltës, kërcënimit dhe shantazhit ndaj Kryetarit të Grupit, se mendon ndryshe nga Z. Berisha. Flasim për bashkim dhe sulmojmë këdo mendon ndryshe. Flasim për bashkim dhe kush mendon ndryshe i thuhet je peng i Edi Ramës. Se kush është peng i Edi Ramës, se kush bën biznes me Edi Ramën, se kush ka fshehur lekët tek biznese të afërt të Edi Ramës, jam i gatshëm ta bëj transparencën tani.

Flasim për bashkim dhe i fryjmë përçarjes, duke i shërbyer Edi Ramës.

Ne sot duhet të ishim të gjithë bashkë për shkak të vendimit të SHBA që fakton masakrën e zgjedhjeve nga Edi Rama, se si krimi është përdorur për të blerë vota, që njerëz të Edi Ramës kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar për të blerë vota. Por çuditërisht në dy godina ka pllakosur heshtja: Në selinë e PS dhe selinë e PD. Heshtjen tek PS e kuptoj. Por pse hesht PD për konstatimin e SHBA që krimi ka blerë vota për Edi Ramën? Pse ka rënë heshtja në selinë e PD?

Heshtja ka rënë për shkak se për një problem personal të Sali Berishës, ka kompleksuar gjithë partinë.

Asnjë fjalë për mbështetjen që po merr Shqipëria dhe demokratët nga SHBA-të, përballë një pushteti që sot është i zbuluar në paligjshmërinë e tij.

Këto janë gjërat që kanë rëndësi për demokratët dhe shqiptarët, jo problemet e një individi me SHBA.

Shqiptarët presin nga ne një përgjigje të qartë për aksionin opozitar, për t’ua kthyer atyre votën e lirë, pa të cilën nuk mund të ketë mirëqenie, nuk mund të ketë zhvillim, nuk mund të ketë integrim.

Unë kam mendimin tim, i qëndroj pajtimeve të mija, dhe standardeve që ka vendosur kjo parti. Për mua personat e shpallur non grata duhet të tërhiqen nga politika. Nëse nuk tërhiqen, ndodh kjo që pamë këto dy ditë. SHBA pranon që Edi Rama ka ble vota me krimin e organizuar, selia e partisë më zë madhe të opozitës, hesht, nuk thotë asnjë fjalë.

Së dyti, sot pashë një shqetësim nga disa kolegë, dhe z. Berisha, pse është ankimuar vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri. Kjo është rrugë institucionale, është rrugë normale. Kujtoj që në 25 Mars z. Berisha na tha në zyrë se vendimet e gjykatave duhen respektuar, sot thotë pse ke ankimuar vendimin se gjykatat janë të Edi Ramës. Pra kur vendos në favor të Z. Berisha, gjykatat janë të mira, nëse rrezikon të bëjë drejtësi, ato janë të Edi Ramës. Kjo është qesharake.

Së treti, mbështes qëndrimin e shumicës së deputetëve se vijimi me një proces që quhet si riorganizim i partisë, në mënyrë të njëanshme, me kokefortësi, kjo sjell përçarje. Mesa kuptoj qëllimi është pikërisht ky, të përçahet partia, të bëhet një parti më e vogël, të përdoret për intersat e një personi. Ky nuk është interesi i demokratëve dhe i PD”, tha Bardhi./albeu.com/