Sipas mediumit spanjoll Marca, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka nisur të hartojë opsione të tjera për repartin ofensiv, nëse klubi nuk arrin marrëveshje për yllin e Atletico Madridit, Julian Alvarez.
Klubi katalunas po mban në konsideratë tre emra si zgjidhje rezervë: sulmuesin e Manchester Unitedit, Benjamin Sesko, bomberin e Borussia Dortmundit, Serhou Guirassy, dhe talentin e Levantes, Karl Etta Eyong.
Të lidhura
None found
Sesko, edhe pse hasi vështirësi në nisje të sezonit, arriti të rikthehej në formë në gjysmën e dytë të kampionatit, duke shënuar në total 11 gola në Ligën Premier.
Megjithatë, sulmuesi slloven nuk parashikohet të dalë në shitje gjatë kësaj vere, pasi trajneri Michael Carrick e sheh atë si një element të rëndësishëm të projektit afatgjatë të klubit.
Në anën tjetër, Guirassy, që është i lidhur me Borussia Dortmundin me kontratë deri në vitin 2028, pati një edicion shumë të mirë, duke regjistruar 22 gola dhe tetë asistime në të gjitha garat.
Një tjetër emër në vëmendjen e Barcelonës mbetet Karl Etta Eyong, i cili kishte qenë në radarët e klubit edhe gjatë verës së kaluar.
Sezoni i fundit për sulmuesin e Levantes rezultoi i vështirë, pasi ndonëse e nisi mirë aventurën e tij te ky klub, më pas pati probleme për të ruajtur vazhdimësinë para portës kundërshtare.
