Lidhja Shqiptare e ka cilësuar si pozitiv njoftimin e Qeverisë për krijimin e një Qendre për Ndihmën e Shpejtë në Shkup, por vë në dukje se panorama reale në shëndetësi dëshmon mungesë reformash të mirëfillta.
Partia i referohet raportit “Kompasi i Premtimeve”, i përgatitur nga Finance Think në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe Forumin Arsimor Rinor, sipas të cilit vetëm 13 për qind e premtimeve në fushën e shëndetësisë janë përmbushur, ndërsa 71 për qind nuk kanë nisur ende të zbatohen.
Të lidhura
None found
Reagimi i plotë:
Në njërën anë, Qeveria bën të ditur themelimin e një Qendre për Ndihmën e Shpejtë në Shkup. Çdo hap që ka për synim shpëtimin e jetëve mbetet i mirëpritur. Megjithatë, në anën tjetër, raporti “Kompasi i Premtimeve”, i hartuar nga Finance Think në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë dhe Forumin Arsimor Rinor, tregon qartë se vetëm 13% e premtimeve në shëndetësi janë realizuar, ndërsa 71% ende nuk kanë filluar të zbatohen.
Sipas Lidhjes Shqiptare, këto nuk janë qëndrime të opozitës, por fakte të dala nga një raport i pavarur. Ato, sipas saj, dëshmojnë mungesën e avancimit në reformat kyçe të sistemit shëndetësor, si digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, shkurtimi i listave të pritjes, përmirësimi i qasjes te specialistët, integrimi i niveleve të kujdesit shëndetësor dhe reformat në shëndetësinë primare.
Më tej theksohet se qytetarëve nuk u mjaftojnë institucione të reja vetëm në letër. Ata kanë nevojë për numër të mjaftueshëm mjekësh dhe infermierësh, për ambulanca të pajisura, barna të disponueshme, diagnostikim në kohë dhe trajtim dinjitoz.
Sipas reagimit, reformat nuk vlerësohen nga vendimet e qeverisë apo konferencat për shtyp, por nga jetët që shpëtohen, nga pacientët që nuk detyrohen të presin me muaj për një kontroll, nga shërbimet që funksionojnë dhe nga profesionistët shëndetësorë që vendosin të qëndrojnë dhe të punojnë në vendin e tyre.
Në përfundim, Lidhja Shqiptare vlerëson se shëndetësia meriton më shumë sesa premtime dhe se kërkon rezultate konkrete.
