BULQIZË – Një projekt për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Gjorica ka hasur në kundërshtimin e banorëve të zonës, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin në mjedis dhe jetesën e tyre.
Raportohet se bashkia Bulqizë ka dhënë me qira një sipërfaqe të fondit pyjor në këtë zonë për realizimin e projektit energjetik. Vendimi ka nxitur reagime nga komuniteti lokal, i cili pretendon se nuk është konsultuar siç duhet për këtë nismë.
Banorët shprehen se shfrytëzimi i fondit pyjor për vendosjen e paneleve diellore rrezikon të dëmtojë kullotat, të cilat përdoren për blegtorinë, një nga burimet kryesore të të ardhurave në zonë. Ata paralajmërojnë se projekti mund të sjellë pasoja afatgjata për ekosistemin dhe ekonominë lokale.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, dyshohet se investimi mund të realizohet nga biznesmeni Marin Gjonaj, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për përfshirjen e tij në projekt.
Banorët kërkojnë transparencë dhe rishikim të vendimit, ndërsa ata paralajmërojnë dhe protesta. “Nuk jemi dakord, pasi nuk kemi ku të kullosim bagëtitë. Ose na dëmshpërbleni, ose nga transferoni nga këtu.”, mësohet të jenë shprehur banorët. Kujtojmë se dje në studion e News24, gazetari Almer Toska denoncoi se në fshatin Gjoricë, po zhvillohet një aferë me prona. Sipas gazetarit, një sipërmarrës i identifikuar si Marin Gjonaj, të cilin ai e përshkroi si “broker energjie i afërt me Ballukun”, po përfiton toka kullotash me vendime të këshillit bashkiak për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Toska akuzoi se këto prona janë pjesë jetike e ekonomisë së banorëve lokalë dhe se dhënia e tyre për projekte energjetike përbën, sipas tij, një formë “rrëmbimi” të pronës me mbështetje institucionale. Ai shtoi se procesi përfshin blerjen e një kompanie lokale dhe më pas transferimin e aksioneve për realizimin e projektit. Në deklaratat e tij, gazetari pretendoi gjithashtu për një bashkëpunim të mundshëm mes aktorëve të përfshirë dhe ish-zyrtares së lartë, duke sugjeruar se projektit i është dhënë “dritë jeshile” në mënyrë të tërthortë.
