Banka e Shqipërisë licenson Jet Bank, por vazhdojnē shqetësimet për transparencën dhe stabilitetin financiar

Jet Bank plotëson procesin e licensimit nga Banka e Shqipërisë, për të operuar me kapacitete të plota në tregun shqiptar.

Pas licencimit, Jet Bank do të hyjë në një fazë testimi paraprak, gjatë së cilës aplikacioni do të jetë i aksesueshëm për një grup të përzgjedhur përdoruesish.

Të lidhura

None found

Ky zhvillim konfirmon mbështetjen që ka kjo iniciativë nga Qeveria dhe nga Banka e Shqipërisë, por pikëpyetjet për transparencën rreth pronësisë, kërkesat për siguri dhe stabilitetin financiar vazhdojnë të mbeten të pa sqaruara mjaftueshëm për publikun.

Sipas njoftimeve zyrtare, JET Bank është themeluar në shtator 2025 me një kapital fillestar relativisht të vogël (rreth 3.5 milionë lekë) me themelues Idan Avishai, shtetas me dy shtetësi, izraelite dhe britanike, transmeton Albeu.com.

Kompania kontrollohet nga shoqëria holding e regjistruar në Hollandë, Jet Holdings, ndërsa aksionarë indirektë janë një grup shoqërish tregtare të regjistruara në Qipro dhe Izrael.

Aksionar kryesor në Jet Holdings rezulton shoqëria qipriote Constador LTD. Sipas informacionit nga regjistri i biznesit në Qipro, aksionar i vetëm i shoqërisë është Idan Avishai, i njëjti person që kontrollonte plotësisht Jet Albania, e cila i parapriu JET Bank, me qëllim ngritjen e strukturave përkatëse për të përgatitur aktivitetin e kompanisë.

Megjithatë, banka ka qenë deri më sot e rezervuar për të bërë transparencë të plotë lidhur me strukturën e saj aksionare. Zyrtarisht, banka prezantohet si pjesë e Jet Holdings, një konsorcium britanik me qendër në Amsterdam.

Në fakt, Jet Holdings është një shoqëri e themeluar në shtator të vitit 2025 dhe e regjistruar në Hollandë, me kapital të paguar 50 mijë euro.

Sipas dokumentacionit zyrtar të depozituar, Jet Holdings ka gjashtë shoqëri aksionare, përkatësisht: Constador LTD, shoqëri e regjistruar në Qipro, me afërsisht 71.5% të aksioneve; Don Albania Holdings LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 3.7% të aksioneve; Ori Eyal LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 2.6% të aksioneve; Yebogogo LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 4.9% të aksioneve; Nathan Lawrence LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 4.9% të aksioneve; Israel Albania Holding LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 12.4% të aksioneve.

Në regjistrin e bizneseve të Britanisë së Madhe, shtetasi Idan Avishai, i datëlindjes janar 1980, rezulton gjithashtu aksionar dhe drejtor në S.O.N MANAGEMENT LTD, kompani e regjistruar në vitin me objekt kryesor aktiviteti menaxhimin dhe konsulencën në aktivitete jashtë menaxhimit financiar, por të dhëna të tërthorta tregojnë se ai është personi që qëndron pas platformës së tregtimit online, Fortrade.

Platforma Fortrade (që vepronte fillimisht me emrin FX Lider) u raportua publikisht në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në Shqipëri për ushtrimin e aktivitetit financiar të palicencuar në Republikën e Shqipërisë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se një gjë të tillë ka bërë edhe autoriteti homolog në Kroaci, HANFA.

Ndërkohë, ne themelimin fillestart të kompanisë në Shqipëri, ishte edhe emri i Oliver Hemmer.

Emri i Oliver Hemmer është i lakuar për disa skema mashtrimi. Në një material të vitit 2019 i siguruar nga Albeu.com, thuhet se zyrtarët federalë po hetojnë një kompani të paregjistruar me seli në Berlin të Gjermanisë, të quajtur Gal Blocklntl Ltd (platforma “4XFX”), e cila vepronte pa autorizimin e duhur. Sipas materialit, drejtori menaxhues i kompanisë, Oliver Hemmer, po drejtonte një skemë mashtrimi të quajtur “4XFX” dhe se ai po hetohej gjithashtu si përfituesi kryesor. Në lidhje me këtë çështje janë paraqitur raporte për kompaninë në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Estoni, dhe Australi. (https://www.scribd.com/document/714449499/report-for-the-fraudulent-activities-4xfx-com)

Në lidhje me skemën e mashtrimit të platformës “4XFX”, institucione të rëndësishme kanë publikuar njoftime ku kane denoncuar skemën. (Denoncimi i FCA britanike dhe denoncimi nga autoritetet financiare të Australisë)

4XFX ishte një platformë mashtruese dhe e parregulluar e tregtimit të kriptomonedhave dhe forex-it që synonte investitorët në vende të shumta (Mbretëria e Bashkuar, Kanada, Australi) rreth vitit 2019, duke pretenduar se ofronte tregtim bitcoin, ari dhe nafte, por në vend të kësaj mashtronte përdoruesit, me organe rregullatore si FCA dhe MSC që lëshonin paralajmërime, dhe faqja e internetit e platformës më vonë u mbyll. Është një shembull klasik i një skeme të palicencuar ku përdoruesit humbasin para, duke çuar shpesh në mashtrime pasuese të “dhomës së rikuperimit”.

Licencimi i JET Bank nuk kaloi pa debate edhe në strukturat e Bankës së Shqipërisë, madje sipas informacioneve, një drejtuese në Departamentin e Mbikëqyrjes dha dorëheqjen pa e firmosur propozimin për dhënien e miratimit paraprak për licencë ndaj këtij subjekti.

Sipas informacioneve që qarkullojnë mes profesionistëve të tregut financiar, licencimi i JET Bank është bërë me mbështetjen e personave me ndikim pranë qeverisë. /albeu.com/