Eksperti i Bankës Botërore, Richard Record, shprehet kundër tërheqjes së mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, pasi, siç thotë, një veprim i tillë do ta rriste edhe më shumë inflacionin, që aktualisht është mbi 12 për qind.
“Masa e propozuar për të lejuar një rund të dytë të tërheqjeve të konsiderueshme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, do të ishte regresive, do ta rrezikonte qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit të pensioneve dhe do ta nxiste edhe më tej inflacionin”, thotë Record, ekonomist kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.
Qeveria e Kosovës, deri më tash, ka kundërshtuar, ndonëse në vitin 2020, ajo u ka mundësuar qytetarëve të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti, për të përballuar, siç është thënë, vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
“Masat në përgjigje ndaj inflacionit duhet të jenë të shënjestruara dhe me afat të kufizuar kohor”, thotë Record.
Në intervistën dhënë REL-it, ai flet edhe për rëndësinë e reformimit të skemës sociale, për mënyrat se si mund të rriten eksportet e Kosovës e të tjera.
Radio Evropa e Lirë: Lufta në Ukrainë ka shkaktuar rritje të inflacionit edhe në Kosovë. Çfarë masash do të duhej të merrte ekzekutivi i vendit për të mundësuar uljen e inflacionit? A ka nevojë për shtrëngim të politikave monetare dhe fiskale?
Richard Record: E gjithë bota po sheh një valë në rritje të inflacionit si rezultat i luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të presioneve ekonomike që janë rritur që nga pandemia [COVID-19]. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, inflacioni global arriti në 9.3 për qind (vit në vit) në shtator.
Kërcimi i inflacionit është veçanërisht i theksuar në Evropë dhe inflacioni tashmë është dyshifror pothuajse në çdo vend të kontinentit. Inflacioni në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore u përshpejtua në 14.5 për qind (vit në vit) në korrik, duke shënuar ritmin më të shpejtë që nga viti 1998, ndërsa inflacioni tejkaloi caqet e bankave qendrore në çdo ekonomi me veprime të synuara për të trajtuar inflacionin.
Sigurisht, Kosova nuk bën përjashtim në shënimin e këtij trendi rritës të inflacionit. Adoptimi i njëanshëm i euros si monedhë në fillim të viteve 2000 ka gjeneruar një sërë përfitimesh për ekonominë e saj, duke përfshirë presionet e kufizuara të brendshme ndaj inflacionit, regjim të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe mjedis më të parashikueshëm për zhvillimin e sektorit privat.
Megjithatë, ky vendim do të thotë gjithashtu se autoritetet, në fakt, kanë hequr dorë nga kontrolli i tyre mbi politikën monetare dhe barra e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik bie tërësisht mbi sektorin fiskal.
Si një vend i ri, Kosova është ende duke zhvilluar tregjet e saj të borxhit dhe, së këndejmi, ka maturime të shkurtra në stokun e saj të borxhit të brendshëm, mesatarisht rreth 3 vjet. Vetëm për të ruajtur stokun aktual të borxhit të brendshëm, Kosova duhet të rifinancojë shumë nga bonot e thesarit gjatë vitit. Në të gjithë globin, kostot e financimit sovran po shtrëngohen, ndërsa normat e interesit po rriten për të zbutur inflacionin. Pra, në aspektin praktik, Kosova duhet të mbajë nivele adekuate të rezervave buxhetore për të ruajtur stabilitetin makroekonomik.
Kundrejt këtij sfondi, autoritetet kanë mjete të kufizuara për të ulur realisht inflacionin. Më e mira që mund të bëhet në këtë kontekst, është së pari të sigurohet që shpenzimet joefektive ose uljet universale të tatimeve, të mos përforcojnë inflacionin. Autoritetet në Kosovë mund të ndihmojnë vetëm në zbutjen e ndikimit të inflacionit, ndërkohë që ato duhet të sigurojnë të mos përforcojnë presionet e çmimeve dhe të mos lënë vragë të pashlyeshme, që i zhvendosin burimet fiskale shumë të nevojshme për të adresuar nevojat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.
Sipas mendimit tonë, kjo mund të arrihet vetëm duke pasur mirëkuptim kolektiv se nuk mund të ofroni mbështetje për të gjithë; në fakt, autoritetet do të duhej ta përqendronin të gjithë mbështetjen e tyre për qytetarët më nevojtarë (konsumi i të cilëve u ul më shumë si rezultat i inflacionit). Dhe, kjo mbështetje do të duhej të ofrohej në mënyrë të synuar dhe të përkohshme.
Ne besojmë se masat do të duhej të përqendroheshin rreth programeve të ndihmës sociale dhe grupeve të cenueshme nga varfëria energjetike. Në periudhën afatmesme, sistemi i ndihmës sociale do të duhej të reformohej në mënyrë më efektive, për të identifikuar se kush është më nevojtar, dhe të jetë fleksibël për të ofruar automatikisht mbështetje kur është e nevojshme.
Radio Evropa e Lirë: Si po e ndihmon Banka Botërore ekzekutivin e Kosovës që të rimëkëmbet nga pasojat [ekonomike] që ka shkaktuar gjetkë lufta në Ukrainë?
Richard Record: Banka Botërore punon në mbështetje të Qeverisë së Kosovës në përpjekjet e saj për të ulur varfërinë dhe për të nxitur prosperitetin e përbashkët përmes Strategjisë së Partneritetit për Vendin. Ne po e mbështesim Kosovën me financim në një sërë fushash, si: konkurrenca, qasja në financa, efiçienca e energjisë, digjitalizimi, bujqësia, ujërat dhe reforma e kadastrës.
Ndërsa fokusi ynë kryesor është në mbështetjen e zhvillimit afatmesëm, disa nga projektet tona ofrojnë gjithashtu mbështetje afatshkurtër – për shembull, projektet që ne aktivizuam me shpejtësi për të mbështetur reagimin ndaj COVID-it.
Projekti ynë për ndihmën sociale, që pritet të miratohet nga Kuvendi, synon të rrisë gatishmërinë e menjëhershme për të reaguar në mbrojtjen e grupeve më të cenueshme, por edhe të mbështesë reformën e plotë të sistemit të ndihmës sociale.
Këtë vit, ne pamë gjithashtu kredinë e parë të politikës zhvillimore të Bankës Botërore për Kosovën, e cila ofroi 50 milionë euro në disbursimin e shpejtë të burimeve direkt në buxhetin e Qeverisë, pas nisjes së reformave të ndjeshme strukturore (si ligji i ri për inspektimet, legjislacioni për identifikimin elektronik, legjislacioni për energjinë e ripërtëritshme dhe përmirësimet në transparencën e menaxhimit të borxhit).
Mirëpo, synojmë të jemi jo vetëm një bankë për financimin e zhvillimit, por edhe një bankë e njohurive për zhvillimin. Kjo do të thotë që ne duam t’i ofrojmë Qeverisë së Kosovës analiza dhe këshilla rreth politikave. Për shembull, ne sapo publikuam vlerësimin tonë më të fundit të perspektivës ekonomike të Kosovës në Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: A përbën inflacioni i lartë në Kosovë rrezik për rritjen e varfërisë?
Richard Record: Shifrat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se inflacioni vjetor arriti në 12.7 për qind në shtator, 2022. Ashtu si gjetiu në botë, rritja e shpejtë e çmimeve të ushqimit dhe energjisë po ushtron presion mbi shumë qytetarë në Kosovë, pasi të ardhurat e tyre nuk mund të zënë hapin./rel