Balliu i bindur: Erion Veliaj karrierën e tij politike do ta mbylli në burg

Shefi i Organizimit të Partisë Demokratike në Tiranë, Klevis Balliu, ka komentuar me tone të ashpra situatën aktuale politike dhe akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj.

Gjatë një interviste me moderatorin Arnold Karriqi, Balliu denoncoi korrupsionin në Bashkinë e Tiranës, duke e lidhur atë me pastrim parash dhe afera kriminale.

Ai kritikoi institucionet si BKH dhe SPAK për veprimet e tyre të vonuara dhe të njëanshme. Sipas tij, fundi i karrierës politike të Veliajt është i pashmangshëm dhe do të përfundojë në burg.

“Nuk duhet përjashtuar fakti që kemi kohë tashmë që qytetarët e Tiranës nuk shkëputen nga dyert e korrupsionit të Bashkisë së Tiranës, që janë dyert ku Erjon Veliaj ka hyrë dhe ka dalë me gjithë hajdutët e vet, me të cilët pastron paratë e krimit të organizuar me ndërtime pallatesh dhe afera të tmerrshme, nga inceneratori te 5D.

Ky qëndrim i qytetarëve të Tiranës dhe ajo protestë ka bërë që një ingranazh tejet i korruptuar, siç janë BKH dhe SPAK, të nisë një lëvizje të tillë pikërisht në një moment kur Erjon Veliaj është jashtë vendit.

Kanë shkuar sot dhe paskan marrë telefonin e zonjës Xoxa, por telefonin e Veliajt si do ta marrin, kur ai tani e ka marrë vesh që ata duan telefonat? Apo nuk ju duhet telefoni i tij?

Mbase nuk ju duhet, sepse këta qartazi nuk kanë një plan për hetim. Por, sido që ta mbrojnë, nuk e mbrojnë dot Erjon Veliajn nga fundi që ai do të ketë, i cili padyshim do të jetë në burg.

Nuk ka asnjë dyshim që Erjon Veliaj karrierën e tij politike do ta mbyllë në burg.

Ai ka probleme edhe brenda grupit kriminal, pjesë e të cilit është vetë – Partia Socialiste – dhe janë ato betejat e brendshme që po shkaktojnë këto presione sot”, u shpreh Balliu.


Shtuar 6.12.2024 16:13