Ministri i Brendshëm Taulant Balla i ka bërë thirrje opozitës sot në Kuvend që të votojnë për paketën e sigurisë në shkolla kundër përdorimit të lëndëve narkotike.
Ai tha se të rinjve u rrezikohet një e ardhme e mirë nëse nuk ndërhyet sot.
“Policia po e bazon veprimin e vet në mungesë të legjislacionit që do e sjellin shumë shpejt në Kuvend për ta klasifikuar këtë formë të oksidit të azotit në një lëndë të palejuar, edhe pse ligji e ka lejuar. Ka hyrë në Shqipëri duke paguar edhe doganën. Duhet vendosur nën kontrollin e shtetit për mënyrën e përdorimit të saj, Është përdorur në klinika dentare për fëmijët e vegjël për të bërë ndërhyrje.
Ta çojmë të gjithë së bashku këtë paketë të sigurisë në shkolla. Kërkoj mbështetjen e Kuvendit për paketën e sigurisë në shkolla. Mendoj se të rinjve shqiptar i rrezikohet një e ardhme më e mirë nëse nuk ndërhyjmë sot me forcë kundër lëndëve narkotike.
Besoj se deputetët e kuvendit do t’i mbështesin ndryshimet që ne duam për të garantuar që çdo keqbërës që i afrohet shkollave të marrë ndëshkim shumë më të ashpër”, tha Balla.