Taulant Balla ka dalë në një deklaratë për media, ku ka folur për atë që është diskutuar në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së që ai drejton.
Balla tha se dita e konferencës së kryetarëve po afron dhe shtoi se u kanë kërkuar deputetëve të propozojnë emrat e tyre për presidentin.
“Po afron dita për konferencën e kryetarëve, dhe do të diskutojmë për emrin e presidentit që duhet të zgjidhet jo më vonë se nga data 24 Maj. PS e cila është shumicë parlamentare, do të zhvillojë një proces të hapur, për tu konsultuar me grupet e tjera parlamentare, me deputetët, dhe me gjithkënd tjetër që është i interesuar.
Këto konsultime kanë nisur edhe brenda grupit tonë, me qëllim që ne të kemi gati kanidaturat e mundshme, ku deputetët do të sjellin edhe ata propozimet e tyre. Kushtetuta ka sanksionuar që procesi në tre raundet e para kërkon 84 vota, dhe mekanizmi zhbllokues, është ai që në raundin e katërt kërkon 71 vota.
Është çështje e brendshme e tyre se çfarë ndodh në grupet parlamentare. PS është e vetmja që ka kontribuar në vendosjen e standardeve , në mënyrën e konsultimit dhe natyrshëm edhe këtë herë do të zbatohet një gjë e tillë”, tha Balla./albeu.com