Avokati Spartak Ngjela ka reaguar sërish pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Ngjela i ka cilësuar si komedi deklaratat e mbështetësve të Berishës për një rikthim të mundshëm të tij në krye të Partisë Demokratike.
Sipas tij, që pas dorëheqjes së Bashës, Berisha nuk po artikulon më kthimin e tij si kryetar.
“Pas dorëheqjes së Bashës si kryetar i Partisë Demokratike, kam ndjekur komedinë serioze të të korruptuarve, politikanë e analistë qesharakë, që nëpër stacionet e tyre televizive, ndiheshin të sigurt se Partia Demokratike do të kishte së shpejti Sali Berishën kryetar. Dhe ky pastaj, do t’i shpëtonte këta, me revolucion, të ngritur kundër lëvizjes antikorrupsion, që po zhvillon politika amerikane në Shqipëri. Por çfarë ndodhi? Partia Demokratike komandoi një kryetar, deputetin Enkelejd Alibeaj, dhe të gjithë të korruptuarit në darkë, të shqetësuar, llomotisnin nëpër televizione fjalë pa kuptim, dhe gjithmonë me një këmbëngulje, sipas shprehjes: “Vjen Saliu në krye të Partisë Demokratike”, kërkonin të qetësonin veten. Ishte komedi, por dilte e tillë nga halli i të korruptuarve që mendojnë se me Saliun tejet të korruptuar, do të shpëtonin edhe ata gjënë e vjedhur. Por nuk ishin të sigurt. Dhe, pikërisht për këtë, kjo ishte një komedi”, tha ai. Ndër të tjera, ai u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha nuk pati kurajë të thoshte se ai do të jetë kryetar i Partisë Demokratike. Ngjela tha, se Berishën e trembi politika amerikane.“Por Saliu, dhe pse po përgjon në çdo çast, ndryshe nga dje e pardje, sot nuk pati kurajë ta thoshte shprehjen:“Unë do të jem kryetari i Partisë Demokratike”. Duhet votim, tha Saliu, vetëm kaq, se me këtë donte që të hynte në votim për kryetar. Por heshti e nuk foli më, pasi dëgjoi platformën politike të kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike. Saliun e trembi politika amerikane me kryetarin e komanduar të Partinë Demokratike”, tha ai./albeu.com/