“Aty Rama mbyll pazaret korruptive”/ Molotovët në shtëpinë e Enver Hoxhës, Bardhi: Nuk ka persona të lënduar

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar se në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, kryeministri Rama mbyll pazaret e tij korruptive. Duke folur për mediat, Bardhi deklaroi se dhuna e paprecedent e policisë kundrejt protestuesve paqësorë do të marrë përgjigje.

Po ashtu Bardhi ka deklaruar se në vilën e Hoxhës nuk ka mbetur asnjë person i lënduar nga molotovët, përveç protestuesve nga dhuna e policisë.

“Për shkak të presionit të ujit nga policia, në këto momente ndodhen në bllok dhe sigurisht do të vazhdojnë marshimin e tyre. Siç e keni parë, edhe sot është përsëritur në mënyrë identike dhuna e paprecedent e paprovokuar e punonjësve të policisë ndaj protestuesve paqësorë të opozitës. Ka qenë një marshim tërësisht paqësor. Jemi penguar në lirinë tonë të lëvizjes dhe të ushtrimit të drejtës së protestës.

E keni parë që në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë na është bllokuar rruga pa asnjë dalje alternative dhe më pas jemi sulmuar pa asnjë shkak me gaz lotsjellës. Më pas e njëjta gjë ka ndodhur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe e njëjta gjë ka ndodhur në kryesinë e Kuvendit, ku ne ishim në një marshim tërësisht paqësor.

Sigurisht së pari ajo shërben si një vilë ku Edi Rama mbyll pazaret e tij me krimin dhe pazaret e tij korruptive. Është pa diskutim një simbol i diktaturës dhe sigurisht revolta e qytetarëve, ku shikojnë nuanca të atij regjimi të përsëriten 35 vite pas rënies së atij regjimi, është gjëja më normale që të ketë revoltë. E rëndësishme është që nuk ka asnjë person të lënduar, përveçse protestuesit…

Ajo që unë di është që nuk ka asnjë person të lënduar dhe të vetmit të lënduar janë qytetarët, protestues, të cilët në ushtrim të drejtës së tyre kushtetuese për të protestuar, janë sulmuar në mënyrë të paprecedent nga policia me gaz dhe me ujë.

Derisa Koçiu ishte në Ministrinë e Brendshme, ishte ministrja e adresave dhe zare e Edi Ramës. Tani e ka ulur shumë stekën, është bërë zare e Belinda Ballukut dhe unë i uroj fatin e Belinda Ballukut,” tha Bardhi.


Shtuar 28.02.2026 21:16

Tags: ,