Atentati ndaj Lulzim Mashës, Henrik Hoxha: Ma kërkoi Dumani, duhej të vritej djali i tij mashtrues, por s’e kapim dot

Në janar të këtij viti biznesmeni Lulëzim Masha ra pre e një atentati në mes të Tiranës. Ndaj tij u qëllua disa herë por plumbat nuk e kapën.

Së fundmi, detaje të reja kanë dalë nga ky atentat. Mësohet se pas tentativës për ta eliminuar fshihen pikërisht dy vrasësit serial Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani, të cilët kanë pranuar të rrëfejnë krimet pas arrestimit.

Henrik Hoxhaj, “killeri” i cili bashkë me Nuredin Dumanin kanë pranuar të rrëfejnë krimet e tyre ndër vite pas arrestimit, rezulton i përfshirë edhe në atentatin ndaj Lulëzim Mashës, administrator i një shkolle private në Tiranë.

Henrik Hoxhaj është shprehur se në janar të vitit 2022, ka qenë pjesëmarrës në atentatin e ndodhur ndaj Lulëzim Mashës, i cili udhëtonte me një makinë ML tek diga e Liqenit.

Hoxhaj tregon se kishte pajtuar Skerdi Tasin për të vrarë Lulzim Mashën. Ai kishte qëlluar ndaj biznesmenit por nuk e kishte eliminuar dot. Ndërkohë sipas Henrik Hoxha, Nuredin Dumani i kishte thënë se duhej të vritje djali i Lulëzim Mashës, pasi mashtronte njerëzit dhe u merrte para. Duke qenë se djali fshihej në Maqedoni “porositësit” kanë tentuar të vrasin babanë e tij.

“Nuredin Dumani nga mesi i viti 2021 më ka shkruar dhe më ka ofruar 100 mijë euro nëse kryeja vrasjen e Lulzim Mashës. Unë e kam marrë përsipër për ta kryer bashkë me Skerdi Tasin këtë vrasje. Pas rreth 8 muajsh në Janarin e 2022, bashkë me Skerdin jemi nisur për të kryer vrasjen. Të dy kemi qenë në Tiranë dhe unë kam patur një makinë ML gri me qira. E lash Skerdin tek diga e Liqenit që të priste Lulzim Mashën. Jemi takuar pas 45 minutash tek furgonat e Fierit ku ai ishte me këmbë pasi kishte qëlluar ndaj Lulzim Mashës. Ai më tha se i kishte qëlluar por nuk e kishte vrarë dot dhe ishte larguar në këmbë. Armën më tha se e ka hedhur në liqen. Unë kam pyetur Nuredin Dumanin se pse duhej të vritje Lulzim Masha dhe Dumani më tha se në fakt duhej të vritje djali i Lulzim Mashës. Sipas Dumanit ai mashtronte duke u marrë para njerëzve dhe fshihej në Maqedoni. Nuk kam dijeni për llogari të kujt kishte marrë Nuredin Dumani këtë porosi.” mësohet të jetë shprehur Henrik Hoxhaj.

Rreth 3 muaj pas atentatit të dështuar ndaj Lulëzim Masha, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë, është vënë në pranga një 31-vjeçar. Pas hetimeve që kanë zgjatur për disa javë, policia ka identifikuar me prova dhe dëshmi përfshirjen e Skerdi Tasit në ngjarje, ku tashmë i riu është arrestuar. Ai akuzohet për dy vepra penale, “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. 31-vjeçari qëlloi me 3 plumba në drejtim të automjetit tip “Mercedez Benz ML”, ku Lulëzim Masha po lëvizte, dy prej plumbave kapën në makinën e 63-vjeçarit.

 

Shtuar 23.05.2022 11:01