Gazetari Artan Hoxha foli në studion e Abc Live në lidhje me atentatin e djeshëm me tre viktima në Fushë Krujë. Hoxha tha në studio se tashmë organizatat kriminale janë duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën duke bashkuar burimet financiare, ato njerëzore dhe logjistikën, gjë që i bën mjaft të rrezikshme për shoqërinë.
Gazetari i ABC theksoi se ai kishte paralajmëruar edhe më herët në lidhje me ngarkesën kriminale të aksit Lezhë-Laç-Fushë Krujë, e cila ishte në pikën e vlimit dhe do të vinte një ditë që do të shpërthente.
“Kjo ngjarje në fakt është vijim i disa ngjarjeve të mëparshme. Kemi bërë shpesh apel në këtë studio, sidomos për qarkun e Lezhës dhe zonën e Fushë Krujës duke thënë se situata atje është në pikën e vlimit dhe pritet të shpërthejë. Gjatë këtyre viteve ka patur ngjarje ku herë është goditur njëra palë dhe më herë pala tjetër.
Unë më parë i quaja banda këto grupe, por tashë janë kthyer në grupe kriminale të mirëstrukturuara. Grupet kriminale janë futur në aleanca me njëri-tjetrin duke bashkua financat, burimet njerëzore dhe logjistikën duke u fuqizuar ndjeshëm. Kjo i bën ata një rrezik përmanent për banorët e zonës. Për fat të mirë, deri më tani kanë goditur njeri-tjetrin dhe jo qytetarët”, tha Hoxha.
Gazetari i ABC kujtoi edhe vrasjen e Endrit Alibejt në fund të dhjetorit 2018 duke theksuar se edhe ajo ishte një ngjarje ku u ekzekutuan tre persona dhe më pas u pasua nga një numër i madh krimesh, deri në plagosjen e Nuredin Dumanit sëfundmi.
“Ajo që ndodhi dje në Fushë Krujë është tepër e rëndë. Për të kujtuar një ngjarje të ngjashme duhet të kthehemi katër vite pas, në dhjetor 2018 ku u vranë tre veta në Bradashesh. Ajo ngjarje pastaj u pasua me shumë vrasje të tjera, deri në plagosjen e Nuredin Dumanit”, tha Hoxha, ndërsa shtoi se ekzekutorët e Fushë Krujës ishin tepër profesionistë.
“Është një ekzekutim tipik mafioz, me njerëz profesionistë, të mirëorganizuar dhe mirëfinalizuar ku autorët nuk tërhiqen nga vendi i ngjarjes pa u siguruar se kanë realizuar objektivin”, tha Hoxha.