Aleanca për Shqiptarët theu heshtjen për negociatat që partneri i saj i koalicionit Alternativa zhvillon me kryeministrin Zoran Zaev.
Në një reagim me shkrim nga kjo parti thonë se Alternativa tre herë shkeli marrëveshjen për koalicion duke zhvilluar bisedime me Zaevin edhe pse, në nenin 6 të kësaj marrëveshjes që kanë firmosur thuhet që: “Palët ranë dakord që ky bashkëpunim të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
Ndërsa Aleanca për Shqiptarët tha se pret sqarim nga Alternativa, kjo e fundit ka reaguar.
“Pas situatës së krijuar në opinion për pozicionin e Alternativës në skenën politike në vend, dëshirojmë të shpjegojmë se Alternativa vazhdon të jetë aktor në skenën politike të shtetit. Pasi që tashmë i kemi kaluar dy cikle zgjedhore në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, faktikisht është konsumuar marrëveshja jonë për bashkëpunim. Megjithatë, mbetet e hapur mundësia që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato. Duke mos e perceptuar Aleancën për Shqiptarët si parti kundërshtare, po themi vetëm se për neve nuk janë mënyrë e mirë e komunikimit përllogaritja se kush me kë dhe sa herë është takuar, sepse kështu duhet të dalim borxhlinj të panevojshëm. Takimet dhe mbështetja e partive të pushtetit është pyetje që nuk i bën nder askujt, sepse për neve Aleanca për Shqiptarë është parti, me të cilën nesër mund të kemi përsëri bashkëpunim dhe duam të lejojmë hapësirë dhe mundësi për të komunikuar dhe bashkëpunuar. Sidoqoftë, pavarësisht qëndrimit publik të ASH-së, ne nuk kemi pushkë për ASH-në, por do të vazhdojmë t’i konsiderojmë si miq dhe bashkëpunëtorë”, thuhet mes të tjerash në reagimin e AAA-së./alsat