AS: Zidane në stol nëse largohet Pirlo

Jo vetëm Cristiano Ronaldo. Juventusi dhe Real Madridi janë gati të ndezin sesionin e ardhshëm të merkatos.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS”, në fakt, bardhezinjtë janë duke menduar për Zinedine Zidane, në rast largimi të Pirlos. Trajneri i Realit të Madridit, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2022, preferon të mos japë garanci për të ardhmen e tij. Në konferencën e fundit për shtyp, iu përgjigj në këtë mënyrë gazetarëve që i kërkuan të dinin në lidhje me planet e tij për të ardhmen: “Nuk shikoj më tutje se ditë pas dite, nuk kam në program asgjë”.

Skenarët e mundshëm për francezin, në rast lamtumire nga Reali i Madridit, sipas “AS” janë dy.

I pari e çon te trashëgimia e Deschamps në kombëtaren franceze, me presidentin e Federatës franceze, Noel Le Graet, që pranoi publikisht se nëse Didier Deschamps largohet dhe ai është ende në detyrë, do të preferonte të takonte të parin pikërisht Zidane. Por diçka e tillë mund të ndodhë në 2022-shin, kur skadron kontrata e trajnerit aktual me federatën dhe mund të përshpejtohet vetëm nëse kampionët në fuqi të botës do të bënin një figurë të keqe në kampionatin Europian.

Opsioni i dytë për Zidane është pikërisht Juventusi. Andrea Pirlo, pas eliminimit nga Portos në 1/8-at e Champions League, dhe me Interin të distancuar në krye të kampionatit, ka përfunduar në bankën e të akuzuarve, edhe pse Nedved me fjalët e tij “blindon” qëndrimin e tij dhe atë të Cristiano Ronaldos te Juvja. Gjithsesi, në rast lamtumire, sipas “AS”, objektivi i parë do të ishte Zidane, që me fanellën bardhezi, në Torino, ka përjetuar momente magjike si futbollist.

Por, nga ana tjetër, krerët e Realit të Madridit janë të kënaqur nga puna e zhvilluar deri më tani nga trajneri në eksperiencën e tij të dytë në stolin e “Los Blancos”. Nëse Zidane largohet, Raul dhe Joachim Low, që ka paralajmëruar largimin nga Kombëtarja Gjermane pas Europianit, janë alternativat e Realit të Madridit. Gjithsesi, vendimi i takon Zidane dhe Juventus pret me jo pak interes.

Shtuar 25.03.2021 10:03