AS: Ambient armiqësor në Kosovë (FOTO LAJM)

Spanja nuk do të ketë qëndrim të kënaqshëm në Kosovë. Është një nga pesë shtetet në Evropë bashkë me Sllovakinë, Greqinë, Rumaninë e Qipron që nuk e njohin si shtet. Kështu nis një shkrim mediumi i njohur i sportit në Spanjë “AS” për ndeshjen e nesërme në mes të Kosovës dhe Spanjës, e vlefshme për kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”.

Në shkrimin paralajmërues me titullin “Ambient armiqësor në Kosovë”, “AS” ka shkruar për çështje politike se si Kosova nuk përkrahet nga fuqitë botërore si Rusia e Kina, por që njihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “e cila ka bazën më të madhe ushtarake në kontinent në këtë shtet”.

“Oferta për të strehuar refugjatët afganë në masë ka përforcuar raportet në mes të Kosovës dhe SHBA-së, që është më e rëndësishme për ta se fakti që janë edhe 90 nga 193 shtete të Kombeve të Bashkuara që e kontestojnë pavarësinë e saj nga Serbia”, vazhdon tutje ky shkrim.

“AS” thotë po ashtu se ndeshja mes Spanjës e Kosovës ka edhe nervozizëm për shkak të humbjes së spanjollëve nga Suedia e se Kosova dëshiron ta kthejë lojën në “shfajësim kombëtar”.

“Përpos refuzimit të Spanjës që ta njohë Kosovën si shtet, në Kosovë u ka penguar edhe fakti që mediat i janë referuar si Federatë e Kosovës, duke shmangur në të gjitha rastet statusi i shtetit. Përderisa Spanja dëshiron ta lërë siç është, një ndeshje futbolli, Kosova po synon të krijojë ‘casus belli’ me të cilin dëshiron të marrë vëmendjen e të gjithëve që e mohojnë shtetin”, thuhet në raportim.

Në fund, “AS” është shprehur i habitur përse Spanjës nuk i është përjashtuar mundësia që të përballet me Kosovën siç ka ndodhur në rastet tjera si me Gjibraltarin apo edhe në rastet mes Rusisë e Ukrainës.

Kosova e Spanja takohen të mërkurën në mbrëmje në kuadër të eliminatoreve për Botëror. Të dyja janë pjesë e Grupit B. Spanja prin në grup me 10 pikë, ndërsa Kosova është e treta me katër. Në ndeshjen e parë, Spanja pati fituar 3:1.


Shtuar 7.09.2021 15:28

Tags: , ,