Arrestohet “bosi” i Call Centerave në Tiranë, Mendim Domi ishte shpallur në kërkim nga SPAK: Shuma kolosale që kishte bërë

Është arrestuar nga policia e Tiranës, Mendim Domi, njëri nga bosët e “Call-Centerave” që qëndronte i fshehur në kryeqytet, pasi kërkohej si person që kishte mashtruar mijëra qytetarë europianë.

Mendim Domi është pjesë e një grupi kriminal i denoncuar në media në muajin dhjetor 2022, ku së bashku me persona të tjerë kanë përfituar një shumë mbi 15 milionë euro përmes skemës së mashtrimit me call-centera.

Fillimisht Domi është zbuluar dhe më pas shpallur në kërkim nga prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj. Më tej ky i fundit shpalli moskompetencën duke ia kaluar dosjen hetimore SPAK, dhe se aktualisht hetimet po drejtohen nga prokurori, Ened Nakuçi.

Kjo pasi emri i Mendim Domit, nuk ka dalë vetëm në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës, por edhe në një çështje penale tjetër që është duke u ndjekur nga prokurori i posaçëm i SPAK, Ened Nakuçi.

Ndaj për shkak të dy hetimeve paralele, SPAK ka tërhequr aktet hetimore nga prokuroria e Tiranës, për pjesën e Mendim Domit dhe shtetasit tjetër të arrestuar Jusel Mici, bashkëpunëtor i Domit.

Në dosjen hetimore thuhet se Domi është pronar i kompanisë “Mone Advertising” e regjistruar në datën 3 shkurt 2022.

Ndërkohë ai zotëron dhe një zinxhir tjetër kompanish, si “Mendim Domi” në fushën e telefonisë, “Mendim Domi” në fushën e ndërtimit, “N.M-09” në fushën e tregtisë së mallrave ushqimore, të cilën Mendim Domi e ka blerë në 26 qershor 2021 për vetëm 1 milion lekë të vjetra nga shtetasi Kastriot Xhani.

Njëherësh në emër të Mendim Domit ndodhet dhe kompania “Super Foods” e themeluar në janar 2020, ku Domi, rezulton të ketë 40 për qind të aksioneve, Jusel Mici 20 për qind dhe Gerald Lamaj është zotërues i 40 për qind të aksioneve.

Ndërsa sipas prokurorisë, kompania “Vibemedia” që dikur ishte themluar nga Mendim Domi dhe Jusel Mici, është shitur në 29 gusht 2018 për 100 mijë lekë të vjetra tek shtetasi Italian, Maurizio Giacalone.

Jusel Miçi është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mendim Domit në veprimtarinë e mashtrimit me “call-centerat”.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Finalizohet nga Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Team”.

Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për mashtrim kompjuterik të kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Team”.

Si rezultat i këtij operacioni, u ndalua shtetasi në kërkim M. D., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka mashtruar shtetas të huaj, duke i bindur që të investojnë në kriptovaluta, shuma të ndryshme parash, të cilat më pas i kanë përvetësuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë?????????
#tëvendosurkundërkrimit?
#nëçdoskajtëvendit????????
#nëshërbimtëqytetarëve??????????????
#denonconë112???? ?


Shtuar 2.11.2023 14:09