Arrestohet 44 vjeçari i konsideruar me “rrezikshmëri të lartë” në Tiranë, i dënuar në Gjermani e Shqipëri

Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim për një plagosje me thikë në Tiranë, u arrestua nga policia mbrëmjen e djeshme.

Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale E.M. 44-vjeç ndaj të cilit gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg në mungesë.

Sipas njoftimit të policisë, më datë 31 mars të këtij viti, ka plagosur me thikë shtetasin A.Xh. pas një sherri në bulevardin “Migjeni”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për kapjen e personave në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet një 44-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër jetës, brenda dhe jashtë vendit.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar:

E.(S). M.(M.), 44 vjeç, i dënuar më parë në Shqipëri dhe në Gjermani, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë sepse ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, sepse më datë 31.03.2021, në bulevardin “Migjeni”, ka plagosur me thikë shtetasin A. Xh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 21.07.2021 09:45