Arrestimi i Lefter Kokës, Rama: Ai që thërritet nga drejtësia nuk ka punë me PS, mesazhi që u jap ministrave kur formohet qeveria

Kryeministri Edi Rama, mbrëmjen e sotme është i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” me gazetarin Arjan Çani. Ky i fundit i tha Ramës se në çdo vend të botës, nëse do të kishte ndodhur ky skandal me iceneratorët dhe të ishte arrestuar një ish-ministër, do të ishte rrëzuar qeveria.

Rama iu përgjigj duke i thënë se në vendet normale dhe demokratike përgjegjësia është individuale. Kështu, shtoi Rama, dhe përballja e Lefter Kokës me drejtësinë është çështje individuale, jo partiake apo kolektive.

Më tej tha se kush thërrit nga drejtësia nuk ka punë në PS, dhe zbuloi mesazhin që u jep ministrave në mbledhjen e parë kur formohet qeveria.

“Në vendet normale dhe sjelljet normale të cdo demokracie përcaktojnë se përgjegjësia është individuale. Sa herë zhvillohet mbledhja e parë e qeverisë unë iu them:  “Sa më takon mua, vendet ku jeni ulur ua kam dhënë, tani duhet t’i mbani”. Dhe e mban me punë dhe rezultate. E kam thënë publikisht që në momentin kur drejtësia kërkon hesap, ai duhet të marri avokati dhe të përballet me drejtësinë. Ne nuk jemi zyrë avokatie. Çështjet me drejtësinë janë individuale. Ai që thërritet nga drejtësia, nuk ka punë me PS-në”, tha Rama.

 

Më tej Rama tha se, programi i inceneratorëve është histori suksesi.

“Elbasani sot që flasim është aset publik. Veprat bëhen me projeksion. Inceneratori është sukses, sepse Elbasani, Tirana dhe Fieri nuk kanë frikë më nga djegia e plehrave. Ky program është histori suksesi. Dhe në çdo histori suksesi ka problematika, dhe personi që ka bërë atë për të cilën drejtësia e kërkon atje, shkon atje”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 17.12.2021 21:13