Gjykata e Apelit në Shkup ka hedhur poshtë ankesën e Stojançe Jovanovskit dhe ka lënë në fuqi dënimin me 12 vjet burg që ndaj tij kishte shqiptuar Gjykata Penale.
Të lidhura
None found
Ai ishte shpallur fajtor në shkallën e parë për nxitjen e bashkëshortes së tij, Ivana, që të hidhej nga ballkoni ndërsa mbante në krahë vajzën e tyre, si edhe për ushtrim të dhunës afatgjatë në familje.
Në njoftimin e saj, Gjykata e Apelit në Shkup bëri të ditur për publikun dhe mediat se, në kuadër të lëndës penale KZ-549/26, pas seancës publike të zhvilluar më 18.06.2026, është marrë aktgjykim me të cilin ankesa e të pandehurit Stojançe Jovanovski nga Shkupi është refuzuar si e pabazuar, ndërsa është konfirmuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit K.br.551/26 i datës 07.05.2026.
Po ashtu, gjykata njoftoi se vendimi i plotë do të bëhet publik së shpejti.
Në maj, Jovanovski ishte dënuar me 12 vjet burg për dhunë në familje, rrezikim të sigurisë dhe nxitje të vetëvrasjes.
Ngjarja tragjike ndodhi më 2 mars të këtij viti, kur Ivana humbi jetën pasi u hodh nga një ballkon së bashku me vajzën e tyre gjashtëvjeçare, Katja.
Gjatë procedurës gjyqësore u vërtetua se Jovanovski e dhunonte vazhdimisht. Dhuna e fundit kishte ndodhur para vetëvrasjes, në një moment kur Ivana e kishte denoncuar në polici, por kur efektivët mbërritën në vendngjarje, ajo kishte ndryshuar mendim.
Dhuna që Ivana dhe vajza e saj përjetuan për vite të tëra ishte raportuar në polici, ndërsa për mënyrën e trajtimit të rastit u konstatuan shkelje profesionale ndaj 39 oficerëve të policisë.
