Ambasadori gjerman Petyer Zengraf duket se i pret shpresat kryeministrit Edi Rama, që do të kërkojë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e Integrimit.
Zengraf i kujton Ramës, dhe qeverisë së tij, në një intervistë, se në vitin 2020 ishte Shqipëria ajo që nuk ishte gati për Integrimin, dhe Maqedonisë iu desh që të sakrifikonte në njëfarë mënyre.
Tashmë ka ardhur koha e ‘shpagimit’, dhe sipas tij Maqedonia meriton solidaritetin e plotë, deri në zgjidhjen e çështjes dypalëshe me Bullgarinë.
Sa i takon nismës së qeverisë shqiptare, për të kërkuar ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e Integrimit, ambasadori gjerman u shpreh: Dua të rikujtoj se të gjitha shtetet anëtare janë shprehur, se kushtet ishin plotësuar, dhe si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të kishin nisur negociatat.
Pikërisht kjo është pjesë e pozicionit të Gjermanisë, që një çështje dypalëshe si ajo mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bë pjesë e procesit, ne do të përpiqemi që të bëjmë sa më shumë për afrimin e palëve.
Në vitin 2020 Maqedonia u desh që të priste Shqipërinë, dhe tani kemi një situatë të ndërsjelltë, të gjithë po punojmë që të kapërcejmë këto pengesa, mendoj se Maqedonia e Veriut e ka merituar që të pritet dhe të tregohet solidaritet ndaj saj.
A është Berlini i shqetësuar për shtimin e influencës ruse? A ka një plan për zbehjen e kësaj influence?
Ambasadori: Dua ta nis përgjigjen me një falenderim ndaj Shqipërisë për linjën e qartë që ka mbajtur, Shqipëria ka treguar se është një partner i besueshëm. Sikurse ju e theksuat, në vendet e tjera të rajonit, situata nuk është e qartë kaq sa këtu, ne ndjekim me vëmendje mënyrën se si përhapet propaganda ruse në rajon, punojmë me forcë që Balkani Perëndimor të bëhet sa më parë pjesë e Unionit.