Ambasada e SHBA-së në Beograd: Serbët e Kosovës duhet lejuar të votojnë në zgjedhjet e prillit

Ambasada e SHBA-së në Beograd pas vizitës që atje kanë zhvilluar Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, kanë dalë me një qëndrim në “Twitter” ku konstatojnë se është e rëndësishme që banorët e Kosovës me të drejtë vote në Serbi të marrin pjesë në zgjedhjet e prillit.

Ambasada e SHBA-së thotë se mbështesin përpjekjet për të marrë masat e duhura dhe për të mundësuar procesin e votimit.

“Është e rëndësishme që banorët e Kosovës me të drejtë  vote në Serbi të mund të marrin pjesë ne zgjedhjet e shpallura nga Beogradi për muajin prill. SHBA-ja mbështet marrjen e masave të duhur për të ndodhur kjo dhe për të lehtësuar procesin e votimit”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA’së.

Kosova nuk ka lejuar organizimin e votimit për referendumin e fundit në Serbi, derisa ka dhënë mundësinë e votimit përmes postës dhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë. Madje Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë edhe një Rezolutë për moslejimin e organizimit të referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës.

Derisa shtetet e QUINT-it dhe BE-ja kishte kërkuar lejimin e organizimit të votimit, bazuar në praktikën e kaluar ku OSBE-ja bënte mbledhjen e votave./Express


Shtuar 4.02.2022 12:10