Policia e Shkodrës ka finalizuar fazën e pestë të megaoperacionit policer të koduar “Alpe të pastra”.
Gjatë 2 ditëve të zhvillimit të kësaj faze, u angazhuan 40 forca policore dhe u përdorën 3 dronë, për kontrollin e territorit malor të disa fshatrave.
Si rezultat i kontrolleve u gjetën dhe u asgjësuan në total 510 fidanë dhe 2760 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në ditën e parë të kësaj faze, u asgjësuan 460 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në fshatin Lotaj, njësia adminstrative Shalë.
Në ditën e dytë të kësaj faze, u asgjësuan 2300 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, që u gjetën të kultivuara në territorin e fshatit Pepaj, njësia administrative Shosh, si dhe 510 fidanë të mbjellë në kubikë.
Falë përdorimit të dronëve, në fshatin Lotaj, është konstatuar një shtetase që po kujdesej për bimët e dyshuara narkotike.
Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetases A. M., 65 vjeçe. Vijon puna për kapjen e saj.
Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon.
Policia e Shkodrës apelon për të gjithë banorët e zonave malore të qarkut dhe për të gjithë fermerët që të mos përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të denoncojnë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, çdo indicie që mund të kenë për këtë veprimtari kriminale./Albeu.com/