Alibeaj: Negociatat Rama-Berisha pazar, jo në interes të qytetarëve! Përfaqësimi në “Zgjedhore” i takon PD

Pazare i cilëson numri 2 i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, negociatat që po zhvillohen mes Rithemelimit dhe PS për kthimin e normalitetit në Kuvend. Alibeaj thotë se këto janë pazare mes Sali Berishës dhe Edi Ramës nuk janë në interes të publikut.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, shprehet se “këto pazare janë të fshehta dhe nuk dihet se ca do japin e shesin”.

“Sot zhvillohen negociata, Rama-Berisha. Praktikisht grupi i Rithemelimit është Berisha dhe PS është Rama. Ndjesia e parë që më vjen nuk është e mirë. Shqiptarët i kanë ndjerë nga 2008 e këtej efektet e asaj marrëveshje që goditi sistemin zgjedhor.

E dyta, unë e kam thënë në dalje janë negociata, pazare. Nuk dihet ca do bëjë kush, ca do japë, ca do shesë. Duket në pamje të parë me aq informacione që mediat kanë raportuar që nuk është në interes të publikut. Interesi i publikut është ajo ca kemi ofruar në Komisionin e Reformës Zgjedhore, listat e hapura, një sistem ndryshe nga sistemi i 2008, ku deputetët të jenë të qytetarëve dhe jo kryetarëve. Nëse këto pazare synojnë të kalcifikojnë edhe njëherë atë të 2008-së, asgjë e mirë për shqiptarët nuk vjen”, tha Alibeaj për Report Tv.

Alibeaj i jep përgjigje edhe Rithemelimit që kërkon më shumë përfaqësim në komisionin e Reformës Zgjedhore, duke thënë se vendet i takojnë Partisë Demokratike, si forca e dytë e dalë nga zgjedhjet e 2021. Alibeaj u ndal edhe në kërkesat e tyre për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, nga vota e emigrantëve, listat e hapura dhe Shqipëria një zonë zgjedhore.

“Komisioni i Reformës Zgjedhore është kërkuar nga PD, nga kjo sigël apo vulë, këtu e dy vite më parë, atëherë kur Berisha dhe Rama nuk e donin, por ka qenë këmbëngulja e PD dhe Bashës që e kërkoi si një nevojë për të përmirësuar rregullat e lojës në zgjedhje. Unë jam dakord që të marr qortimet e kësaj bote nëse kërkesat e ofruara do ishin amorale, do ishin për interesin, për karrigen tonë, s’do shkonin në interesin e publikut. Listat e hapura nuk janë gjë tjetër veçse një rikthim i sistemit mazhoritar, qytetarët të zgjedhin përfaqësuesin e tyre, deputeti i tyre të mos lëvizë pozicionet e veta politike sipas interesit apo nevojës për tu bërë edhe njëherë deputetë.

Kemi kërkuar votën e diasporës, Shqipëria është e përgjysmuar. Çdo sistem zgjedhor pa votën e diasporës është i pavlefshëm. Kemi kërkuar që vota e shqiptarëve të jetë e njëjtë, si në veri si në jug. Votimin dhe numërimin elektronik. Nëse këto janë çështje që nuk i interesojnë shqiptarëve, jam unë sebepi i sherrit, por nëse këto i interesojnë shqiptarëve nuk jam unë, është dikush tjetër që e ka ngritur në mënyrë jo të ndershme këtë çështje. Unë jam përfaqësues i PD, i së vetmes parti politike të regjistruar në regjistrat e shtetit shqiptar, forca e dytë në 2021. Sipas rregullave funksionale i takon përfaqësimi partisë, por atyre që qëndrojnë në këtë sigël. Ca tha Rama, nëse dështon komisioni. S’ka pse të dështojë komisioni, pse do dështojë”, tha Alibeaj.


Shtuar 12.03.2024 12:33