Kaosi në Kuvend/ Bardhi mbërrin në Kryesinë e Kuvendit për negociatat! Nikolla e ul në tryezë me Çuçin

TIRANË– Teksa negociatat për rikthimin e normalitetit në Kuvend kanë nisur, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ul sot në tryezën e Konferencës së kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçin, Gazment Bardhin dhe Mesila Dodën e Dashamir Shehin.

I mandatuari i Rithemelimit për negociatat është Gazment Bardhi, i cili pas 5 muajsh mbërriti për herë të parë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Pas takimit, ministrja Elisa Spiropali pritet të dalë në një konferencë për mediat.

Sakaq, një ditë më parë Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e Rithemelimit për çështjen e Zgjedhores.

Për këtë çështje, që është pika më e vështirë e negociatave, diskutimet janë që nëse Komisioni Bipartizan, ku Rithemelimi ka refuzuar të marrë pjesë përsa kohë bashkëkryetar është Enkelejd Alibeaj i PD, dështon të prodhojë një produkt deri në fund të marsit kur i mbaron mandati, të zhvendoset në një nën-komision në Kuvend, ku Gazment Bardhi kërkon të ketë më shumë anëtarë se PD zyrtare duke vlerësuar se ai është opozita reale.

Sa i takon kërkesës së Rithemelimit për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret./albeu.com