Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është shprehur se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por sipas tij duhet zgjidhur problemi me Bullgarinë për marrjen e PO-së për negociatat.
“Mendoj se në këtë kohë vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ka nevojë që të zgjidh problemet me të cilat po përballet. Në këtë rast do të doja të theksoj nëse duam që të kemi situatë stabile, të qëndrueshme, të avancueshme në drejtim të proceseve euroatlantike, nevojë e domosdoshme është që të zgjidhet kontesti apo dallimet që i kemi me palën ndërkombëtare lidhur me marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Mendoj se çështjet kanë avancuar. Deri tani kemi pasur parasysh vështirësitë me të cilat është përballur Bullgaria me zgjedhjet, me vonesat për konstituimin e Qeverisë së re dhe konstituimin e Kuvendit me çka mendoj se dallimet janë afruar”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
I pyetur për procesin e vetingut në gjyqësor, Ahmeti kërkoi ndihmë edhe nga mediat për të punuar në vlerësimin e pastërtisë së figurave drejtuese në vend.
“Sa i takon pastërtisë së figurës së drejtuesve, ne në vazhdimësi e kemi ngritur këtë cështje, në vazhdimësi kemi kërkuar partneritet me mediumet, me shoqërinë civile, dhe pastërtia e figurave duhet të fillojë që nga politikbërësit, politikanët, në gjykata, në prokurori, polici, dhe të mos mbesim vetëm me deklarata të bukura para ekraneve të televizioneve, por te punohet konkretisht në të gjitha këto njësi që thashë, d.m.th nga politikbërësit deri tek përhapësit që janë mediumet, të jemi në kordinim, të jemi në harmoni që të jemi të suksesshëm, për vlerësim të figurave dhe pastërtinë e tyre”, shtoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Mes të tjerash Ahmeti deklaroi se negociatat me palën bullgare nuk janë të lehta, por e rëndësishme është që ka dialog konstruktiv dhe vullnet të mirë, sepse të dyja vendet kanë një pikë të përbashkët, ndërtimin e një shteti stabil dhe paqebërës./albeu.com/