Nëse nuk arrihen numrat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese, nuk ia vlen të zgjerohet shumica parlamentare. Kështu deklaroi kreu i ASH-së, Arben Taravari para fillimit të Kuvendit Qendror të partisë në Kumanovë. Ai hodhi poshtë zërat për ndarje resorësh dhe tha se pnuk ka propozim konkret nga Kovaçevski.
“Personalisht mendoj se nëse nuk ka numër 80 nuk ja vlen të zgjerohet Qeveria. Por them se ka gjëra të cilat mund të ndihmojnë edhe duke u zgjeruar Qeveria. Mendoj se para anëtarëve të Kuvendit do t’i shpalosi të gjitha faktet dhe argumentet të cilat i kam, ta bisedojmë, ta diskutojmë dhe ta vendosim bashkë”, tha Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.
Taravari konfirmoi se mbrëmë ka takuar kreun e BDI-së Ali Ahmeti me të cilin ka biseduar për numrin e nevojshëm të deputetëve për ndryshimet kushtetuese. Ai tha se ditët në vijim do t’i takojë edhe liderët e partive të tjera shqiptare
Ai mohoi se ndërkombëtarët kanë ndërhyrë dhe sugjeruar që Aleanca të bëhet pjesë e Qeverisë.
“Absolutisht jo, nuk ka të drejtë askush as Kosova, as Shqipëria dhe as faktori ndërkombëtar të ndërhyjë në veprimet e Aleancës për Shqiptarët por na kanë treguar gjërat të cilat i përkrahin për shembull, procesin e ndryshmeve kushtetuese dhe neve i kemi thënë se ndryshimet i mbështesim edhe si opozitë edhe si pozitë, na kanë thënë se nuk është mirë që të shpejtohet me zgjedhje. Nuk na kanë thënë të hymë ose jo në Qeveri sepse një të drejtë të tillë përpos që nuk e kanë, neve edhe nuk e lejojmë të na imponojnë”, shtoi ai.
Për çdo vendim të organeve partiake të ASH-së, lidhur me përfshirjen apo jo të partisë në Qeveri, Taravari tha se oferta do të vendoset në referendum para anëtarësisë së partisë. Taravari nuk deshi t’i komentojë qëndrimet e grupit të zjarrit brenda BDI-së dhe partisë Alternativa të cilët kundërshtojnë hyrjen e ASH-së në Qeveri./Alsat.mk