Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kallëzuar në SPAK ambasadorin e BE në Shqipëri, Luigi Soreca.
Aleanca e akuzon Sorecën për ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në favor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Në padi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon zbardhjen e takimit mes ambasadorit Soreca dhe kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese një ditë para se kjo gjykatë të jepte vendimin për Teatrin.
Në një prononcim për mediat pas dorëzimit të padisë në SPAK përfaqësuesja ligjore e Aleancës, Adriana Kalaja tha se kërkojnë nga kreu i shtetit Ilir Meta si edhe nga ministrja Xhacka shpalljen ‘non grata’ në Shqipëri të ambasadorit Soreca.
“Sot u paraqitëm për herë të 12 në SPAK me kallëzime penale përveç 10 kërkesave të ndryshme që kemi bërë. Kallëzimi i sotëm është kundër ambasadorit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca i cili në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit”, tha ajo .
Më tej ajo tha “Nuk kemi ende asnjë informacion si kanë votuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për të gjitha këto veprime ne kemi kërkuar lirim nga detyra të këtij ambasadori, kemi kërkuar shpalljen non grata nga presidenti të Sorecës në territorin e presidencës, dhe në të gjithë Shqipërinë nga ministrja Olta Xhaçka. I kemi kërkuar SPAK që të sekuestrojë telefonat e Sorecës dhe Veliajt, SPAK dhe GJKKO duhet të dalin me qëndrim të prerë, ne jemi të bindur se SPAK përmes hetimeve do na japin të drejtë”.