Albchrome helmoi Elbasanin me mbetje të rrezikshme, zbulohen 320 tonë pluhur toksik

Krimet mjedisore në Elbasan përsëriten me një frekuencë të frikshme, ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e rënda shëndetësore.

Skandali i radhës ka në qendër kompaninë turke Albchrome, më saktë uzinën e saj të Ferrokromit në Elbasan.

Të lidhura

None found

Pak muaj më parë, inspektorët e mjedisit ndërhynë me urgjencë në dy vatra zjarri pranë uzinës. Por kur shkuan atje zbuluan 318 tonë pluhur toksik industrial; ky material ishte ruajtur prej muajsh në fabrikën e kromit “AlbChrome”, pa pasur asnjë kontratë për trajtimin apo asgjësimin e sigurt të tij.

 

 

Objekti, në pronësi të grupit turk “Yildirim”, u mbyll përkohësisht, por mbetjet toksike vazhdojnë të jenë aty të paasgjësuara.

Ky është i fundit në një varg katastrofash që kanë goditur një nga qytetet industriale më të rrënuara të Evropës, i cili shpesh mbulohet nga tymi vdekjeprurës si pasojë e zjarreve të ngjashme.

Rama inauguroi filtrin
Në maj të vitit 2024, Edi Rama, vizitoi uzinën e Ferrokromit të Albchrome në Elbasan, me rastin e vendosjes së sistemit të ri të filtrimit. Kryeministri e cilësoi investimin 2 milionë euro për filtrin e ri si një arritje të madhe.

“Ky investim është i konsiderueshëm, për një element që në pamje të parë. Transformimi po bëhet për kushte më të mira për punëtorët. Sistemi i filtrimit është 2 milionë euro investim. I thashë zotit Ilirim që ne do të vijmë për ta kremtuar këtë fakt që është i mirëpritur për komunitetin, nga institucionet e shtetit, që është një betejë që do e fitojmë të gjithë bashkë. Kjo duke arritur të ndërtojmë urat e dialogut”, u shpreh Rama.

 

 

Investimi që Rama përuroi me bujë quhet dedust. Ky është një sistem filtrimi, që thith ajrin e ndotur, ndan pluhurin nga ajri përmes filtrave dhe nxjerr jashtë vetëm ajrin e pastruar. Por procesi i dedustimit në një uzinë ferrokromi lë mbetje voluminoze dhe tejet të rrezikshme për mjedisin.

Kur filtrat e ajrit kapin tymin dhe pluhurin që çlirohet nga furrat elektrike me hark gjatë shkrirjes së kromit, ky pluhur grumbullohet në hinkat e sistemit. Kjo mbetje në gjuhën teknike quhet Pluhur i Oxhakut (Ferrochrome Dust).