Carvajal kaloi kontrollin mjekësor, por regjistrimi te Getafe u pengua nga kufiri financiar i LaLigës

Rikthimi i Dani Carvajalit në futbollin spanjoll dukej praktikisht i sigurt, por një problem i papritur ka pezulluar kalimin e mbrojtësit te Getafe.

Të lidhura

None found

Sipas AS, lojtari 34-vjeçar kishte rënë dakord me klubin madrilen për kushtet personale dhe kishte përfunduar me sukses edhe testet mjekësore. Megjithatë, marrëveshja nuk është finalizuar, pasi LaLiga nuk ka miratuar regjistrimin e kontratës.

Shkak është bërë vlerësimi financiar i kontratës. Në kuadër të kontrollit ekonomik, LaLiga cakton një shumë të parashikuar për marrëveshjen e një futbollisti, e cila llogaritet në kufirin financiar të klubit. Kjo shifër nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me pagën që lojtari do të marrë realisht.

Për Carvajalin, autoritetet e LaLigës kanë vlerësuar se paga e negociuar me Getafen është tepër e ulët në krahasim me nivelin e tij dhe me të ardhurat që ai ka përfituar gjatë viteve të fundit.

Situata e vështirëson pozicionin e Getafes, pasi klubi ndodhet aktualisht shumë pranë kufirit të lejuar financiar. Nëse kontrata do të regjistrohej mbi bazën e shumës së përcaktuar nga LaLiga, skuadra nuk do të kishte hapësirë të mjaftueshme për ta përfshirë Carvajalin në përbërje.

Presidenti i Getafes, Angel Torres, konfirmoi se transferimi është komplikuar, por nuk e përjashtoi mundësinë e një zhvillimi të ri.

“Në thelb, marrëveshja ka dështuar. Në futboll, ajo që është e bardhë sot mund të jetë e zezë nesër”, u shpreh Torres.

Megjithatë, çështja mbetet ende e hapur. AS raporton se përfaqësuesit e Carvajalit pritet të mbërrijnë sërish në Spanjë më 12 tetor, kur mund të nisin bisedime të tjera për gjetjen e një formule që do t’i lejonte Getafes të regjistronte ish-mbrojtësin e Real Madridit.


Shtuar më 8.10.2026 10:16