Albana Vokshi: Kauza më e rëndësishme e opozitës, zgjedhjet e lira

“Kauza më e rëndësishme e opozitës sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. Kështu tha deputetja e PD-së Albana Vokshi.

Vokshi tha se me Edi Ramën si kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, “ndaj kërkojmë një qeveri teknike, ashtu sikundër ndodh në Maqedoninë e Veriut, që 3 muaj para zgjedhjeve kemi modelin e qeverisë teknike”.

Vokshi tha se qeveria teknike do të kërkohet si përmes rrugëve institucionale, ashtu edhe përmes protestave.

Gjithashtu, ajo tha se protestat do të vijojnë si para Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe në çdo vend tjetër.

“Do të protestohet për të drejtat e mohuara të opozitës. E patë se çfarë ndodhi dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak? U miratua vendimi që shtohen 400 punonjës, janë patronazhistët që kërkojnë ti përfshijnë në zgjedhje. E dini çfarë vendimi u miratua dje, ai për marrjen me qira të hapësirave për kopshte apo çerdhe. Po merren në periferi sipërfaqe me 15 euro m2, këtë vlerë nuk e gjen as në qendër të Tiranës, dhe jo më në periferi”, tha Vokshi.

Ajo tha se protestat do të vijojnë derisa Erion Veliaj, të largohet me hir ose me pahir nga karrigia e kryebashkiakut.


Shtuar 23.07.2024 15:57