Këngëtari i njohur shkodran dhe fituesi i “Big Brother Vip 2”, Luiz Ejlli, është dënuar me një vit burg.
Ejlli është dënuar, pasi akuzohet se ka falsifikuar dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive.
Falsifikuan dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive me prejardhje nga aktiviteti kriminal, me kërkesë të Prokurorisë Fier, dënohet ish-noteri L.E. dhe shtetasi F.A.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkoi dënimin me 12 muaj burgim të ish-noterit E.L., dhe shtetasit F.A. të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të iniciuara nga ish-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnje mbi procedimit penal nr. 388, të vitit 2022, me të pandehur, shtetasit L.E dhe F.A., rezultoi e provuar se i pandehuri F.A., në bashkëpunim me të pandehurin L.E., ish-noter, kanë falsifikuar deklaratën noteriale, të cilën i pandehuri F.A. e ka përdorur në Prokurori, për të justifikuar burimin e krijimit të pasurive të tij, të sekuestruara në kuadër të hetimeve të procedimin pasuror nr. 3 të vitit 2021, të ish-Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnje.
Deklarata noteriale e hartuar nga i pandehuri L.E., ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit. U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish-noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme.
Konkretisht, i pandehuri L.E, megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, në bashkëpunim me të pandehurin F.A., kanë krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta, dhe më pas i pandehuri F.A., në datën 25.02.2022, e ka dorëzuar këtë deklaratë noteriale në ish-Prokurorinë Lushnje.
Në datën 02.10.2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe vendosur të deklarojë fajtor të pandehurit për faktin e dërguar për gjykim, si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit L.E., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 prag.2, i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) muaj burgim;
Deklarimin fajtor të të pandehurit F.A, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumentave, me qëllim realizimin e përfitimeve në mënyrë të paligjshme.