Kreu i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, në një dalje publike këtë prag fushate i është përgjigjur akuzave të PD, se qeveria po u fal tokat në bregdet oligarkëve.
Teksa ka shtuar se në këto 30 vite janë dhënë lloj-lloj vendimesh nga gjyqtarë që preken nga vettingu dhe me vendim të kthimit të pronave, herë të drejta dhe herë abuzive, sa nuk kanë lënë më asnjë cm tokë në bregdet të shtetit, përveç një pjese në Karavasta dhe një pjese në gadishullin e Karaburunit.
“Unë kam qenë pjesë e një vendimi qeverie dikur që më pas u anatemua se do të vidhte tokat në bregdet dhe do ia jepte oligarkëve. Ai vendim qeveria që thoshte se të bllokojmë të gjitha tokat shtetërore në bregdet të mos vazhdojë plaçkitja e tyre përmes gjyqtarëve që i jepnin këto toka në mënyrë abuzive pasi e dinin se do të rrëzoheshin nga vettingu. Ka pasur shumë vendime të tilla të çmenduar. Megjithatë kadastra e trashëguar nuk kishte regjistruar prona në bregdet dhe ajo figuronte shumica si pronë shtetërore në letra, por kur u shkua në terren ajo ishte e tëra e ndarë. Tokë shtetërore në bregdet ka jashtëzakonisht pak afër zeros, pasi janë ndarë me vendim të kthimit të pronave, herë me të drejtë dhe herë abuzive. Në bregdet ka mbetur vetëm një pjesë e Karavastasë dhe një pjesë e gadishullit të Karaburunit. Nuk ka toke shtetërore në bregdet, nuk ka mbetur më, nuk ka lënë Laro të hajë Balo, është ndarë e gjitha”, tha Lame