Akuzat e Berishës, reagon PD: Non grata nuk fshihet pas gënjeshtrave (VIDEO)

Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të Sali Berishës sot nga Dibra. Ajo thotë se më gënjeshtra dhe mashtrime nuk i fshihet dot demokratëve ndërsa pyet pse ai nuk i përmend kurrë Vangjush Dakon, Tom Doshin dhe Aqif Rakipin. Sipas PD Berisha po përdor biznesmenët e Edi Ramës për vota.

“Dite e re mashtrim i ri. Non grata mundohet të fshehë aleancën e tij të non gratave dhe me krimin, me gënjeshtra ordinere. Non Grata duhet t’u tregojë demokratëve, pse njerëzit e Qifes drejtojnë fushatën e tij në Vorë dhe Rrogozhinë?

Pse njerëzit e tij negociojnë për të ndarë territore me Vangjush Dakon? Pse njerëzit e Tom Doshit bëjnë fushatë për të në Shkodër? Çfarë pazari ka bërë non grata me Qifen, Dakon e Doshin, që nuk u permendi dot as emrin?

Të tjera pyetje kemi për non gratën që po përdor mekanizmat, biznesmenët dhe kriminelët e Edi Ramës për vota. Me mashtrime dhe gënjeshtra, non grata nuk u fshihet dot demokratëve. Ata e dinë mirë që ai është gati ta shkatërrojë PD për hallin e tij. Prandaj vota për Berishën dhe Metën, mban Ramën”, thuhet në deklaratë.

 


Shtuar 13.02.2022 18:23