Akuza për korrupsion, arrestohet dy inspektorë të IKMT Berat

Policia ka vënë në pranga 2 inspektorë pyjesh në Berat, pasi ndaj tyre rëndojnë akuza për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet e kryera  ka rezultuar se dy punonjësit e IKMT-së shkonin për kontrolle në shumë subjekte të përpunimit të pllakave të gurit dekorativ në Malin e Tomorrit dhe në këmbim të vlerave monetare që merrnin nuk mbanin asnjë akt-konstatimi për shkeljet e evidentuara nga firmat e gurit në Tomorr.

Njoftimi:

Ekzekutohen 2 masa sigurie “Arrest në burg”, të caktuara ndaj 2 shtetasve që ushtronin funksione publike, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas një hetimi 2-vjeçar me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për goditjen e paligjshmërive që kryhen nga personat që ushtrojnë funksione publike, kanë bërë ekzekutimin e 2 masave sigurie “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, ndaj shtetasve:

-E. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që kryejnë funksione publike;

-A. D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga veprimet e kryera gjatë periudhës hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprime ose mosveprime, kanë favorizuar shtetas dhe subjekte të ndryshme të ushtronin veprimtaritë e tyre në kundërshtim me ligjin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 19.07.2023 09:07