Akuza e fortë e shokut të Mehmet Qemës: Do ishte gjallë, mjekët s’e prekën me dorë

Një dëshmi lidhur  me vrasjen e 27-vjeçarit Mehmet Qema, i cili u qëllua për vdekje aksidentalisht nga miku i tij është dhënë nga një mik tjetër i viktimës.  Egli Cekrezi rrëfeu për emisionin “Me zemër të hapur”,se kishte qenë 2 minuta para se të ndodhte ngjarja me shokët e tij, ndërsa ishte në një ambient tjetër duke ngrënë.

Ai tha se sapo kishte dëgjuar të shtëna me armë kishte shkuar tek shokët e tij dhe ishte përballur me skenën e rëndë. Sipas Cekrezit, Marjus Dema, që është edhe autori i ngjarjes, ka qëlluar mikun e tij aksidentalisht, pasi kanë qenë duke luajtur.

Mes të tjerash i riu tha se Marjusi ka tentuar që të vrasë veten pas krimit, pasi ka përjetuar gjendje shoku. Çekrezi ka hedhur mes të tjerash akuza të forta për mjekët e Urgjencës në QSUT, pasi sipas tij ata nuk i kanë ofruar asnjë shërbim Qemës, i cili në ato momente ishte gjallë.

“Isha duke bërë disa piktura. Ishim duke qeshur dhe po bënim muhabete, shaka. Isha tek çunat vetëm 2 minuta para, por pastaj kam marrë diçka për të ngrënë. Atë natë kam shkuar se bëj dhe disa piktura në atë zonë.

Ishim të gjithë si çuna, se kuptoj se si ndodhi kjo gjë. Se di sa kishin ata aty. Por ata të dy ishin vëllezër, ishin qafë për qafë. Bisedat ishin si ato të përditshmet. Ishin ulur, duke qeshur. Ata i kishin thënë që ule armën, ai po luante, po bënte shaka.

Unë isha poshtë po haja. Kur dëgjova armën shkova me vrap dhe pashë. E çuam Mehmeti në spital, në QSUT dhe 30 minuta nuk e prekën me dorë. Ai ishte i gjallë. Ata thoshin që; ‘do presim policinë’. Vetë ne e hapëm ambulancën dhe e nisëm për në spitalin e Traumës. Kam marrë taksinë dhe shkova në spital dhe më pas në Durrës.

Kam 2 ditë pa fjetur, kam qenë keq emocionalisht. Ai do kishte mbijetuar nëse doktorët do ta kishin marrë në dorë. Plumbi u mor poshtë barkut, jo në anën e apendistit. Si ka dëgjuar të shtënat kam parë Marjusin, ishin shumë keq, tentoi që të bënte vetëvrasje.

Tek spitali kemi shkuar unë, Erlindi, Lindi. S’kemi shkuar të gjithë se nuk e mbaj mend. Është hera e parë në jetën time që më ndodh diçka e tillë në sy. Jam keq.”, tha Çekrezi.

Shtuar 12.05.2021 12:05