“Akt i shëmtuar dhe kriminal”, reagon Berisha për vrasjen e gjyqtarit Kalaja: Krimi kontrollon rendin, kërkoj dënim maksimal për autorët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal të shëmtuar dhe një tjetër provë e pasigurisë së thellë që mbizotëron në vend. Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Berisha kërkoi që drejtësia të veprojë me dënimin më të rreptë ndaj autorit të krimit, si dhe ndaj çdo personi tjetër që mund të ketë qenë i përfshirë apo porositës i kësaj ngjarjeje tragjike.

Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e gjyqtarit Kalaja, duke e cilësuar këtë akt si një goditje ndaj shtetit ligjor dhe sigurisë publike.

Reagimi i Sali Berishës:

Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja.
Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.

Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend. Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.


Shtuar 6.10.2025 17:39