Nga orët e para të mëngjesit, në Durrës ka nisur një aksion nga policia Bashkiake kundër zënies së paligjshme të rërës së bregdetit.
Burimet bëjnë me dije se janë sekuestruar shezlongë dhe çadrat e 3 subjekteve.
Aksioni po zhvillohet sipas informacionit të marrë në 3 sektorë nga Ura e Dajlanit te Iliria, si dhe nga Përroi i Agait deri te Shkembi i Kavajës.
Rikujtojmë se vetëm pak ditë me parë, një sherr mes dy bizneseve në Velipojë shkaktoi 4 viktima dhe 2 të plagosur pasi dy familjet u përplasen për disa shezllonë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapsirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.
Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Kavajë, Policia Bashkiake dhe struktura të mjedisit të Policisë Bashkiake, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Golem.
Kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të Karpenit, dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar 11 parcela pa leje ku janë hequr rreth 550 shezlongë dhe rreth 280 çadra.Operacioni vijon pa probleme. /albeu.com/