Aksidenti tragjik, Greqia shpall tre ditë zie, liderët perëndimorë solidarizohen me shtetin helen

Me vendim të kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis, është shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e aksidentit hekurudhor në Tempe me 38 të vdekur.

Ai hyn në fuqi nga sot, 1 mars deri më 3 mars 2023 me flamuj të valëvitur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe pezullimin e festimeve publike.

Në vendin e aksidentit ndodhen 150 zjarrfikës, mes tyre zyrtarë të EMAK-ut dhe po operojnë me 17 automjete dhe katër vinça, ndërsa EKAV po ndihmon me 30 autoambulanca.

ELAS është transferuar nga Drejtoria e Hetimeve Kriminale nga Athina dhe Selaniku. Vazhdon procesi i identifikimit të viktimave në spitalin e Larisës në prani të psikologëve dhe punonjësve të policisë.

Liderët perëndimorë kanë dërguar mesazhe ngushëllimi për kombin grek.

Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola shkruan: Thellësisht e trishtuar nga përplasja e tmerrshme e trenave pranë Larisës në Greqi. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Mirënjohëse për të gjithë shpëtimtarët dhe stafin mjekësor në vendngjarje. Mendimet tona janë me popullin e Greqisë pas kësaj ngjarje tragjike.

Ursula von der Leyen  shkruan: Mendimet e mia janë me njerëzit e Greqisë pas aksidentit të tmerrshëm të trenave që mori kaq shumë jetë mbrëmë pranë Larisës. E gjithë Europa është në zi me ju. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit. Jemi pranë jush.

Presidenti i Qipros shkruan: Jam i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar nga tragjedia që ndodhi në Greqi me përplasjen e trenave që rezultoi  me vdekjen e dhjetëra personave. Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave, popullin grek dhe qeverinë e vendit.

Charles Michel shkruan: Mendimet e mia janë me popullin e Greqisë këtë mëngjes. Të tronditur nga lajmet dhe pamjet e përplasjes së dy trenave në Tempe. Ngushëllime familjeve të viktimave. Guxim dhe forcë ekipeve të shpëtimit që vazhdojnë punën e tyre të vështirë.

/Albeu.com/


Shtuar 1.03.2023 09:53