Një aksident i rëndë i mori jetën një ditë më parë 23-vjeçarit nga Shqipëria, Andon Kumria, në Bergamo të Italisë.
23-vjeçari shqiptar Kumria, është aksidentuar në orën 05:30 të mëngjesit të së enjtes.
Të lidhura
None found
Edhe pse është dërguar me urgjencë në spitalin Papa Giovanni në Bergamo, nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra.
I riu kishte disa vite që punonte si kuzhinier në një restorant në Bergamo.
Vdekja e tij e parakohshme ka tronditur pa masë familjarët e tij dhe punonjësit në restorantin ku ai punonte. Lamtumira e fundit do t’i jepet të shtunën e 23 Dhjetorit në Bergamo.
Për vdekjen e tij ka folur edhe pronari i restorantit ‘da Giò’ në via Nazionale në Seriate, Itali, ku i riu punonte.
“Ai ishte krahu im i djathtë, kuzhinieri më i mirë që kam pasur ndonjëherë në njëzet vjet biznes. Andon ishte një djalë shumë i mirë, plot jetë, i përkushtuar ndaj punës. Në këto dy vite nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë “jo”. Ai ishte shumë i apasionuar pas gatimit, aq sa e kishte studiuar dhe madje kishte shkruar një libër. Ai ishte aq i mirë sa i shita një pjesë të aksioneve në një nga kompanitë e mia. Ai kishte një ëndërr, të shkonte në Amerikë. Ne donim të bënim një udhëtim dhe të shkonim së bashku. Edhe sikur të na ndante fati, ti do të mbetesh përgjithmonë i gdhendur në zemrën time. Shijoje udhëtimin tënd, miku im”, është shprehur Giovanni.
Përsa i përket aksidentit ai u shpreh se informacioni i vetëm që kishte ishte se i riu kishte humbur jetën nga humbja e kontrollit të makinës.
“Nuk e di dinamikën e aksidentit, e di që kishte mjegull dhe Andoni humbi kontrollin e makinës”, tha Giovanni.
