Gjykata në Paris ka dhënë dënime me burg për gjashtë burra, të shpallur fajtorë për vrasje të paqëllimshme lidhur me fundosjen e një varke me emigrantë në Kanal, më 24 nëntor 2021. Në këtë tragjedi humbën jetën të paktën 27 persona.
Të lidhura
None found
Shtatë të akuzuar të tjerë u dënuan për vepra më të lehta që lidhen me kontrabandën e emigrantëve, ndërsa një person u shpall i pafajshëm.
Për gjashtë personat e dënuar për vrasje të paqëllimshme, gjykata vendosi masa burgimi nga gjashtë deri në 10 vjet. Të dënuarit e tjerë morën nga gjashtë muaj me kusht deri në katër vjet burg.
Çështja gjyqësore kishte në qendër fundosjen e një gomoneje të fryrë, e cila po përpiqej të udhëtonte nga brigjet veriore të Francës drejt Anglisë.
Prokuroria deklaroi se të akuzuarit kishin kontribuar në nisjen e një mjeti lundrues të papërshtatshëm për det të hapur, të tejmbushur me njerëz dhe pa mjete të mjaftueshme shpëtimi. Sipas prokurorëve, gjithçka ishte bërë për përfitime financiare, pavarësisht rrezikut serioz ndaj jetës së pasagjerëve.
Pas disa orësh lundrim, gomonia nisi të humbte ajër dhe të merrte ujë. Pasagjerët përfunduan në det, ku u mbytën njëri pas tjetrit. Të mbijetuarit thanë se nga varka u dërguan rreth një duzinë kërkesash për ndihmë te shërbimet franceze dhe britanike të shpëtimit.
Në fund, vetëm dy persona arritën të mbijetonin. Trupat e 27 viktimave u konfirmuan, ndërsa katër persona të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur.
Shumica e viktimave ishin kurdë nga Iraku. Në mesin e tyre kishte edhe shtetas nga Afganistani, Etiopia, Irani, Somalia, Vietnami dhe Egjipti. Viktima më e re e identifikuar ishte një vajzë shtatëvjeçare.
Sipas gjykatës, personat e dënuar kishin lidhje me rrjete afgane dhe irakiano-kurde të kontrabandës, të cilat organizonin kalime drejt Britanisë nga kampet e emigrantëve pranë Grande-Synthe dhe Calais, në veri të Francës.
Paralelisht, prej vitit 2023 po zhvillohet një hetim i veçantë ndaj shtatë pjesëtarëve të personelit ushtarak francez. Ata dyshohen se nuk u kanë ardhur në ndihmë personave në rrezik, por i mohojnë akuzat.
Familjarët e viktimave kanë qenë të pranishëm gjatë procesit gjyqësor. Disa prej tyre ende presin të gjenden trupat e të afërmve.
Zana Mahmand Mohammed, vëllai i të cilit, Twana, 18 vjeç, humbi jetën në këtë tragjedi dhe nuk është gjetur, u shpreh se familja ka pesë vjet që jeton me pasigurinë për fatin e tij.
Ngjarja e vitit 2021 konsiderohet ende një nga tragjeditë më të rënda të lidhura me kalimet me varka të vogla në Kanal, një prej rrugëve detare më të frekuentuara në botë.
