Gjatë intervistës ekskluzive në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ka folur edhe në lidhje me kanabizimin e vendit.
Ahmetaj shprehet se i ka thënë Edi Ramës, se kanabisi do të kriminalizonte ekonominë, por Rama nuk ja vuri veshin.
Çim Peka: A duhej të ju vinte radha që të ishit viktimë e këtij sistemi që ju të flisni kaq hapur dhe kaq i shqetësuar, për këto që po ndodhin në Shqipëri. Nuk ke folur një herë. Mbi 3 miliardë euro po i bëhen dhuratë një njeriu, dhe keni qenë me Endri Fugën dhe Arbër Mazniku dhe thatë, që nuk hëngrëm. Po, po ajo bukë po i dhurohet një njeriu, që nuk dihet se paratë e kujt po pastron. A nuk ndjeni në përgjegjësi që ju keni qenë një nga shtyllat kryesore të qeverisë së Ramës dhe nuk keni reaguar.
Arben Ahmetaj: Ka dy të vërteta që duhen përmendur. E vërteta e parë është se çdo njëri nga ne, ka përgjegjësinë morale, që me naivitetin tonë dhe besnikërinë tonë politike, kemi lënë krijimin e një kuazi, apo autokraci të fshehtë të krijohet dhe e dyta është se asnjëri nga ne nuk shpëton përgjegjësisë morale. Nëse kjo përgjegjësi morale do të kishte dënim, nga një njësi në 100 njësi, ndoshta te përgjegjësia morale mund të kishim në kurriz shumë njësi, se njerëz jemi dhe kemi bërë edhe gabime naiviteti, besimi, besnikërie. Çim Peka unë kam folur nëpërmjet mënyrave publike dhe jo publike. Publike është ulja e borxhit dhe deficitit, vendosja e tavanit prej 5% të të ardhurave të vitit të kaluar për PPP. Kjo është e folura me vepra. Të ulësh borxhin është të ruash sistemin financiar edhe ekuilibrin ekonomik. Të ruash deficitin është të krijosh ekuilibër të shëndetshëm fiskal që të lejosh rritjen. Kjo është puna që kam bërë unë. E dyta, unë kam mbledhje qeverie në Tiranë, Durrës e Gjirokastër që kam folur për eradikimin e kanabisit në 2014. Ja ngjeshën atij djalit që bëri edhe burg në kurriz. Po ja ngjeshën. Kam folur për eradikimin e kanabisit, kam thënë kjo do të fuqizojë vetëm krimin.
Çim Peka: Në mbledhje qeverie…
Arben Ahmetaj: Në Durrës. Unë nuk besoj se sot ka dikush këllqe që të thotë, po e kam dëgjuar Ben Ahmetaj të thotë këtë.
Çim Peka: E cili ishte reagimi i kryeministrit…
Arben Ahmetaj: Nuk ka rëndësi, pyeteni. Më pyete ke folur apo jo. Po të tregoj si kam folur unë, verifikohet me letra e me shifra, me të shkruar…
Çim Peka: Nëse ju keni folur kundër kanalizimit në mbledhje qeverie dhe pas këtij kundërshtimi të kësaj platforme, kryeministri ju ka bërë ministër dhe ju ka dhënë poste, do të thotë se nuk ka qenë i zemëruar me ju dhe ka menduar si ju, por këtë gjë e paska ministri, ai djali që bëri burg.
Arben Ahmetaj: Nuk është shumë e rëndësishme …
Çim Peka: Është shumë e rëndësishme për publikun…
Arben Ahmetaj: Mund të jetë e rëndësishme për publikun, ne kemi kohë të flasim për detaje të këtyre edhe në të ardhmen, nëse do të vazhdoj të jem ky që jam në këmbë. Më the s’ke folur, po kam folur…
Çim Peka: Kanabizimi ishte kriminalizimi i ekonomisë…
Arben Ahmetaj: Për mua, unë e kam shprehur vazhdimisht. Sot nuk ka kush këllqe të thotë, po Ben Ahmetaj ka qenë kundër, ka kërkuar me forcë eradikimin e kanabisit sepse do të fuqizojë krimin. Ashtu ndodhi. Sot grupet kriminale spunton e parë e kanë marrë nga kanabizimi. Nuk diskutohet. Po Kolumbia ku është. Po qe do të ishte Kolumbia vendi më i zhvilluar në botë.