Tenda, ushqim dhe ilaçe kanë arritur në lindje të Afganistanit, pas tërmetit vdekjeprurës të 22 qershorit.
Si pasojë e tërmetit kanë vdekur mbi 1,500 njerëz, kanë thënë talibanët për agjencitë afgane të lajmeve.
Sipas tyre, të paktën 1,600 persona janë plagosur kur tërmeti ka goditur tri rajone malore afër kufirit me Pakistanin.
Një tjetër tërmet më i vogël më 24 qershor, ka lënë të vdekur pesë persona, pak pasi talibanët kanë bërë të ditur se ka përfunduar operacioni i kërkim-shpëtimit.
Tërmeti i 22 qershorit, i cili është thënë se ka qenë 6.1 shkallë të Rihterit, përbën katastrofën më të keqe natyrore në Afganistan në dy dekadat e fundit.
Një aeroplan i ushtrisë pakistaneze ka dërguar ndihmën më 25 qershor në Provincën Khost, një prej tri rajoneve të goditura nga tërmeti.
Kjo katastrofë përbën sfidë për Qeverinë e udhëhequr nga talibanët, e cila nuk njihet nga asnjë shtet.
Mohammad Nassim Haqqani, zëdhënës i Ministrisë së talibanëve për Menaxhim të Katastrofave, ka thënë për mediat se rreth 10,000 shtëpi janë shkatërruar pjesërisht apo plotësisht si pasojë e tërmetit.
Haqqani ka thënë për Radion Evropa e Lirë më 23 qershor se ende është e vështirë që të sigurohen informacione të sakta për dëmin, për shkak të lidhjeve të dobëta telefonike në disa zona.
Organizatat për ndihma, sikurse Kryqi i Kuq dhe Programi Botëror për Ushqim, u kanë ndihmuar menjëherë familjeve më të cenueshme në provincat, Paktika dhe Khost.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë përmes një postimi në Twitter se tetë kamionë me ushqim dhe furnizime tjera kanë arritur në Afganistan nga Pakistani.
Sipas tij, ndihma kanë dërguar edhe Irani dhe Katari.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kriza mund të rrisë rrezikun për kolerë në këtë shtet./REL