Adoleshenti bën masakër në shkollë, plagos tre mësues dhe dy nxënës

Tre mësues dhe dy nxënës dyshohet se u goditën me thikë nga një nxënës 14-vjeçar, i cili nxori një thikë nga çanta dhe nisi një sulm ndërsa mësimi fillonte në një shkollë spanjolle mëngjesin e sotëm.

Adoleshenti, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dyshohet se goditi me thikë pesë viktimat ndërsa mësimi fillonte në orën 8:30 të mëngjesit në institutin Elena García Armada në qytetin Jerez de la Frontera, në Spanjën jugore, raporton Daily Mail.

Policia ka mbërritur në vendngjarje ku ka arrestuar me shpejtësi nxënësin 14-vjeçar, ndërsa shkolla e mesme është evakuuar dhe mjekët kanë trajtuar të plagosurit. Një nga mësuesit e shkollës së mesme është në gjendje të rëndë pasi u godit me thikë në sy dhe u dërgua me urgjencë në spital, raporton ABC de Andalucia.

Nuk dihet ende gjendja e dy mësuesve të tjerë dhe dy nxënësve.

Burimet i thanë Jerez TV se studenti kishte mbërritur në klasën e tij këtë mëngjes para se të nxirrte një thikë të madhe nga çanta e shpinës dhe të fillonte “të godiste me thikë këdo që kalonte para tij”.

Prindërit në panik, sapo e morën vesh lajmin u vërsulën drejt shkollës ku kishin lënë fëmijët e tyre pak minuta më parë.


Shtuar 28.09.2023 10:10