Ndërkohë që grupi i Partisë Socialiste po finalizonte dokumentacionin për shkarkimin e kryetares së këshillit të qarkut Shkodër, ku ishte siguruar shumica e firmave, Marina Duhani e PSD së Tom Doshit ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, institucion që e mori në korrikun e 2023.
Duhani është edhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, drejtuese kabineti e PSD të Shqipërisë dhe kandidate për deputete në zgjedhjet e 2021 dhe u emërua në kuadër të një pakti PS-PSD për zgjedhjet vendore, ku PS korri për herë të parë fitore në Shkodër. PSD ka këmbëngulur në marrjen e këtij posti, nisur edhe nga fakti se në nivel qarku, kjo forcë politike ka siguruar numrin më të madh të këshilltarëve, 37, ose një më shumë se PS- ja, transmeton AlbEu.com.
Pas dorëheqjes së sotme, socialistët kanë gati procedurat dhe emrin që do ta pasojë Duhanin në këtë detyrë. Ai është Edmond Ndou, drejtuesi i grupit të këshilltarëve të PS në këshillin bashkiak Shkodër dhe një ndër figurat politike që ka drejtuar disa institucione të rëndësishme në Shkodër, në sektorin publik e privat.
I diplomuar për drejtësi, Ndou ka qënë më herët drejtues i Hipotekës në Shkodër, këshilltar i kryetarit të bashkisë, si dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2021.
Por, duket se problemi është më i thellë se kaq, pasi mësohet se kanë paraqitur dorëheqjet edhe Rezarta Pode nga Illyrian Guard për Shkodrën dhe drejtori rajonal i ARRSH- së Ervin Sadiku, që të dy janë nga radhët e PSD. /albeu.com/