Teksa zhvillimet e fundit në skenën politike të Maqedonisë së Veriut povendosin në dyshim nëse shumica parlamentare i ka numrat e nevojshëm për të qëndruar në këmbë, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, është shprehur se nuk ka asnjë dyshim për humbje të shumicës së qeverisë.
Komentet Kovaçevski i bëri teksa u pyet nga gazetarët lidhur për këtë çështje.
“Është stabile”, u përgjigj Kovaçevski.
Gazetari: A ka rrezik për humbjen e shumicës, pasi një pjesë e deputetëve të BDI-së paralajmëruan shkëputjen e tyre nga grupi parlamentar? Ata, praktikisht janë disa nga nënshkruesit e letrës që i ishte dërguar Ahmetit.
Kovaçevski: S’ka rrezik për humbjen e shumicës në Parlament.
Jozyrtarisht, anëtarët e pakënaqur presin që së pari të takohen me Ali Ahmetin e më pas të vendosin se si do të vazhdojnë të veprojnë. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe dy deputetë Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku, të cilët mund ta rrezikojnë shumicën e Qeverisë aktuale.