A mbeti opozita pa 61 firma? Ziadin Sela i thotë se e ka ditur (VIDEO)

Kush kë e mashtroi?! Deputeti i Alternativës, Skënder Rexhepi-Zejdi, që është edhe koordinator i grupit parlamentar të opozitës shqiptare, pohon se së paku tre herë ka përmendur dhe kërkuar që në listën e nënshkrimeve për të rrëzuar Qeverinë, nuk do të jenë deputetë e partisë “E Majta”, ndërsa shton se për këtë ka marrë garanci.

“Në u mblodhëm të gjithë deputetët dhe në bazë të informacioneve që erdhën është se në marrëveshje do të jenë nënshkrimet e VMRO-DPMNE-së, koalicioni ynë, LDP dhe Besa, që i binte janë 61. Unë insistoja që ne si koalicion të jemi të fundit të nënshkruajmë. Aty kisha dyshimin tim dhe disa herë kam potencuar që nuk guxon të jetë e “E Majta” ta keni parasysh! Jo, nuk është, sigurt”, tha Skender Rexhepi – deputet i Alternativës.

Rexhepi tha se asnjëherë nuk pranon të jetë në një listë më njerëz që “veten e rrisin me urrejtje ndaj shqiptarëve”, por, kush e bindi Zejdin se mes nënshkrimeve nuk do të jenë edhe ata të dy deputetëve të “Së Majtës” Apasievit dhe Kërmovit.

“Ato që ishin aty, posaçërisht kryetari i Aleancës për Shqiptarët i cili ka qenë në bisedime me Mickoskin”, shtoi deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi.

E sipas Ziadin Selës, Skender Rexhepi nuk e thotë të vërtetën kur pohon se nuk e ka ditur se 2 deputetët e “Levicës” kanë firmosur për rrëzimin e Qeverisë. Kreu i Aleancës për Shqiptarët thotë se nuk ka nevojë të mashtroj askënd sepse askush nuk është fëmijë.

“Njeriu kur ka ndonjë hall mundohet të gjej arsyetime të pabaza dhe gënjeshtra realisht. Askush nuk është fëmijë, secili e di se lista që është nënshkruar, është nënshkruar për ta rrëzuar Qeverinë”, u shpreh Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Sipas deputetit Skender Rexhepi informacionet që i ka pasur kanë qenë se deputetë të Partisë Liberale-demokrate do të firmosin për shumicën e re, por kreu i PLD-së tha për TV21 se nënshkrime prej tyre as ka pasur e as nuk do të ketë.

“Nënshkrime të PLD-së nuk ka në listë dhe nuk do të ketë. Unë nuk mund të komentoj gjithçka çfarë flitet”, deklaroi Goran Milevski – kryetar i PLD-së.

Nënkryetari i VMRO-DPMN-së, Aleksandar Nikollovski, duke komentuar deklaratën e Rexhepit, tha se ditën kur do të votohet mosbesimi i Qeverisë do të kenë edhe më shumë se 61 deputetë./21tv


Shtuar 8.11.2021 20:04