A është vendi juaj i punës toksik? Zbulojeni nga këto detaje të thjeshta

Sipas një studimi të publikuar nga Shkolla e Biznesit e Harvardit që analizoi të dhënat për afërsisht 60,000 punonjës, punësimi i një “superylli” – kështu konsiderohet një punonjës “në 1%-shin e më të mirëve” – do t’i kursejë kompanisë mesatare 5303 dollarë.

Megjithatë, shmangia e një punonjësi “toksik” (kështu konsiderohet një punonjës që angazhohet në sjellje të dëmshme për një organizatë, duke përfshirë pronën ose njerëzit e saj) do t’i kursejë kompanisë mesatarisht 12,489 dollarë.

Madje, kjo shifër nuk përfshin as “kursimet nga anashkalimi i proceseve gjyqësore, ndëshkimet rregullatore ose uljen e produktivitetit si rezultat i moralit të ulët”.

Me pak fjalë, është më mirë të pushoni nga puna një punonjës toksik sesa të gjeni dhe të punësoni një punonjës superyll.

E njëjta gjë vlen edhe për liderët.

Sipas një meta-analize,e cila mori në shqyrtim 57 studime të ndryshme të publikuara në The Leadership Quarterly, ndikimi negativ i krijuar nga një shef i keq tejkalon ndikimin pozitiv të krijuar nga një shef i mirë.

“Lidershipi destruktiv” ul ndjeshëm kënaqësinë e punonjësve në vendin e punës, përkushtimin dhe angazhimin e tyre, mirëqenien dhe performancën e përgjithshme.

Studiuesit shkruajnë: “Siç pritej, korrelacioni më i lartë është ai midis lidershipit destruktiv dhe sjelljeve ndaj liderit. Çuditërisht, korrelacioni tjetër më i lartë u gjet midis lidershipit destruktiv dhe sjelljes jo produktive në punë.”

Me fjalë të tjera, nëse shefi juaj është i keq, ju jo vetëm që do ta urreni atë, por ka të ngjarë që gjithashtu të filloni të veproni si ai.

Pavarësisht se sa shumë përpiqeni, punësimi i vazhdueshëm i liderëve të mirë është i pamundur. Siç thotë bashkëthemeluesi i Netscape, Marc Andreessen, “Nëse jeni shumë të kujdesshëm për procesin tuaj të punësimit, do të keni ende një mundësi suksesi prej ndoshta 70 për qind që një punonjës i ri të jetë vërtet i mirë – nëse jeni me fat”.

Pra, me çdo kusht, duhet të jeni të kujdesshëm dhe të matur kur merrni vendime për punësimin e personave të rinj.

Por jini akoma edhe më të kujdesshëm dhe të matur kur ju duhet të merreni me shefat e këqinj. Kjo do të bëjë një ndryshim shumë më të madh në mënyrën se si punonjësit tuaj ndihen kur vijnë në punë çdo ditë dhe sa mirë e bëjnë ata punën e tyre. Dhe kjo është diçka që nuk ishte nevoja t’jua thoshte shkenca.


Shtuar 4.01.2022 21:56