SPIUNAZHI/ A është Gjermania hallka më e dobët e Perëndimit?

Nga Nigel Jones “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, ishte Britania e Madhe ajo që dukej se ishte e infektuar me spiunët rusë. Nga vitet 1950 dhe deri në vitet 1980, një seri skandalesh në fushën e sigurisë, nga dezertimet në Moskë të spiunëve të “Pesëshes së Kembrixhit”, Burgess, Maclean dhe Philby, deri tek ekspozimi i këshilltarit të artit të Mbretëreshës, Anthony Blunt, si një bashkëpunëtor i sovjetikëve, e bënë Britaninë të dukej në në sytë e aleatëve të saj si hallka më e dobët në përballjen e Perëndimit me Rusinë komuniste.

Sot kur kemi një luftë të vërtetë të Rusisë kundër Ukrainës, përgjegjësi kryesore ka padyshim Gjermania. Britanikja “Daily Telegraph” ka përmendur arrestimin e një personi më dhjetor 2022, me dyshimin se i ka dërguar Moskës të dhëna sekrete.

Ai është Carsten Linke, një ish-ushtarak 52-vjeçar, i shndërruar në një të lartë në BND, ekuivalenti gjerman i shërbimit tonë të inteligjencës së huaj në Britani, MI6. Supozohet se ai kishte qasje në të dhëna top-sekret mbi konfliktin e Ukrainës, dhe ua ka transmetuar atë që dinte menaxherëve të tij në Rusi.

Dhe kjo do të thotë se informacioni i mbledhur nga Perëndimi mbi pushtimin e Putinit është i komprometuar. Sikleti i Gjermanisë ndaj skandalit, bëhet edhe më i madh nga fakti se Linke nuk u zbulua nga agjentët e kundërzbulimit në Berlin, por nga aleatët e tij, të cilët nga analizimi i të dhënave kuptuan se duhet të ketë pasur një spiun brenda BND-së që ishte paguar sipas shërbimeve të tij.

Ekspozimi i një spiuni të dyshuar të rusëve pranë kreut të agjencisë gjermane të spiunazhit mund të jetë tronditës, por nuk është aspak befasues. Edhe para rënies së Gjermanisë Lindore komuniste në vitin 1989, Republika Federale kishte qenë objektivi kryesor i operacioneve të depërtimit të Moskës.

Në vitin 1961, kreu i divizionit të kundërzbulimit të BND, Heinz Felfe, u zbulua se kishte qenë prej shumë kohësh një spiun i “fjetur” i sovjetikëve. Një dekadë më vonë, Gunter Guillaume, një nga ndihmësit kryesorë të kancelarit gjermano-perëndimor Willy Brandt, u zbulua gjithashtu se ishte një spiun komunist.

Ai skandal çoi në rrëzimin nga pushteti të shefit të tij dhe njëherazi në shembjen e Ostpolitikës të Brandt, që synonte zbutjen e tensioneve dhe afrimin me Bashkimin Sovjetik.

Sjellja e butë dhe tolerante ndaj Rusisë, vazhdoi të ishte një shtyllë kryesore e politikës së jashtme gjermane edhe pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të vendit.

Gerhard Schroeder, kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005, ishte pjesë e bordeve të kompanive ruse, por edhe lobist i zellshëm për kompanitë ruse të energjisë. Madje ai mburrej me krenari për miqësinë e tij të ngushtë me Vladimir Putin. Lidhjet e tij të hapura me Rusinë, e detyruan stafin ne tij që të jepte dorëheqjen në masë në marsin e vitit të kaluar, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Putin.

Pasardhësja e Shroeder si kancelare, Angela Merkel, e cila i kaloi vitet e rinisë në Gjermaninë Lindore, e thelloi varësinë e Berlinit nga nafta dhe gazi rus, duke e mbyllur industrinë e energjisë bërthamore të Gjermanisë. Prandaj kur u pasua në detyrë nga Olaf Scholz, Gjermania duhej të vuante jo pak për t’u shkëputur ose të paktën për t’u distancuar nga marrëdhënia e saj e ngushtë me Rusinë e Putinit.

Refuzimi fillestar i Scholz-it për të furnizuar Ukrainën me tanket gjermane “Leopard 2” – nga i cili hoqi dorë me shumë ngurrim vetëm në fund të muajit të kaluar – ka krijuar në rrjetet sociale një term të ri shumë në modë ‘Scholzing’, që do të thotë të premtosh shumë, por të mos japësh asgjë.

Hezitimi i Gjermanisë për të mos përdorur peshën e saj të konsiderueshme në skenën ndërkombëtare, buron nga ditët e errëta të së kaluarës së saj naziste dhe komuniste. Mungesa e dukshme e efikasitetit të agjencive të saj të inteligjencës, i ka rrënjët tek mosbesimi i publikut ndaj përgjimeve të shtetit.

Dhe kjo për shkak të historisë së frikshme të Gestapos naziste dhe policisë sekrete komuniste në Gjermaninë Lindore, STASI. Ndërkohë, 80-vjetori i disfatës së saj të madhe në Stalingrad që u përkujtua javën e kaluar, ngjall kujtime shumë të hidhura mbi herën e fundit që Gjermania u përball me Rusinë në fushën e betejës.

Me gjithë fuqinë e saj ekonomike dhe pozitën e saj aktuale si një bastion i demokracisë liberale, Gjermania ka ende nevojë që të mësojë leksionin se pushteti duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi. Ka ardhur koha që ajo të përgatisë forcat e saj të armatosura dhe agjencitë e inteligjencës për të mbrojtur një shtet sovran kundër një sulmi barbar nga një ish-mik i rremë. /albeu.com


Shtuar 7.02.2023 15:54