Reforma dhe ristrukturimi i Policisë së Shtetit do të bëhet edhe më shpejt nga sa ishte planifikuar, pikërisht edhe për shkak të ngjarjeve të rënda që kanë tronditur opinionin publik ditët e fundit.
Kështu tha në konferencën me gazetaret sot kryeministri Edi Rama. Ai theksoi se reforma në Policinë e Shtetit, e cila ka nevojë për mbështetje dhe për të funksionuar më mirë, siç u shpreh shefi i qeverisë, ishte e planifikuar, për t’u përgatitur për mandatin e tretë qeverisës.
Rama u ka dhënë një përgjigje edhe zërave që kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, kur tha se “nuk është asnjëherë një ngjarje në sektorin e punëve të brendshme që ka edhe fatalitet pavarësisht përgjegjësisë direkte ose jo, një arsye për të larë duart. Asnjëherë”.
Deklarata e kryeministrit:
Ne jemi në një fazë intensive pune për gjithë sektorët jo vetëm për punët e brendshme e policinë, për të përgatitur mandatin e tretë dhe është koincidencë por nuk ka asnjë problem në këtë aspekt, përkundrazi një arsye më shumë edhe ngjarjet që kanë ndodhur se dua ta nënvizoj që mos krijohet asnjë keqkuptim meqë ministrit të brendshëm dje ia morët fjalët e ia kthyet përmbys.
Nuk është asnjëherë një ngjarje e cfarëdo niveli në cfarëdo sektori e lëre më pastaj një ngjarje në sektorin e punëve të brendshme që ka edhe fatalitet pavarësisht përgjegjësisë direkte ose jo, një arsye për të larë duart. Asnjëherë. Përkundrazi cdo ngjarje është një arsye për të mënduar si gjërat mund të bëhen më mirë në tërësi, është një motiv i fortë.
Ekur unë them që në ngjarjet në fjalë sulmi ndaj policisë është absurd kam parasysh që policia mund të bëjë më mirë apo shumë më mirë punën e vet.
Kam thjesht parasysh faktin që nuk është vetëm policia në një vend demokratik apo cdo vend tjetër ajo që garanton gjithcka dhe që kontrollon sjelljet e njerëzve dhe individëve rrugëve apo në konfliktet që ndodhin në pak minuta dhe që s’ka polici në botë që mund t’i parandalojë.
Por sigurish që polica jonë ka nevojë për një mbështetje edhe më të madhe sa i përket teknologjisë, e ne ndërkohë ristrukturimi i policisë dhe në aspektin organizativ, burimeve njerëzore dhe drejtimit që nga niveli i drejtuesve në qarqe te nivelet më të ulëta është një proces që ka nisur të diskutohet e konceptohet e besoj do materializohet edhe më shpejt se ç’ishte planifikuar për të reaguar edhe ndaj këtyre fakteve se edhe perceptimi ka një rëndësi shumë të madhe.
Unë e kuptoj shumë mirë që atmosfera psikologjike dhe falë ngarkesës së madhe emocionale që kanë pasur këto ngjarje kanë nevojë për një lehtësim.
Për këtë procesi i ndryshimeve në nivelet e larta të policisë do bëhet më shpejt se sa ishte i planifikuar por ishte i planifikuar.